Gjyshja

Albana Melyshi Lifshin

Ne banonim në dy apartamente përballë njëri-tjetrit, në një pallat të ri e të bukur.
Praktikisht unë u rrita nga gjyshja. Ajo shfaqej nё kornizёn e derёs si njё pikturё. Sytë bojё qielli e tё thellё, të mbërthenin në vëmendjen e tyre. Qafa e saj borё e bardhё kontrastonte me shaminë dhe fustanin e zi.
Flokёt, qё i dilnin vjedhurazi nёn shami, ishin njё pёrzjerje thinjash të argjenda me ngjyrën e kallirit të pjekur. Më pëlqente ta vëreja gjyshen kur hiqte shaminë e zezё nga koka dhe çkoliste gёrshetat e gjatё, por të holluar nga koha. Ato fije thinjash qё i mbeteshin nё krehёr, i mbёshtillte rreth gishtit tregues dhe i digjte me njё fije shkrepёse. Pastaj flokët i bёnte pёrsёri gёrshet dhe i fshihte nёn shaminë e zezё duke lënë pakëz nga gjysmë kurora të shfaqej.
Nё dhomёn e saj, ishte njё raft i vogёl dy kanatёsh, tё cilin gjyshja e mbante gjithnjё me çelёs,
Më kishte premtuar se do të më tregonte se ç’kishte nё tё, kur unë tё mbushja 14 vjeç. Ai raft u bë kureshtja ime.
Shkollën e kisha pranë dhe luaja në oborrr gjithë ditën, deri sa vinte ora për t’u bërë gati. Gjyshja më thëriste ndonjёherё nga dritarja për të më dërguar tё blija ndonjё send, e unë pёr tё mos humbur nga loja, shkoja e kthehesha me njё frymё. Gjyshen kjo e kёnaqte. Më puthte nё ballё dhe më thosh:”E mira e nanёs! Ti më parё vjen, se shkon”. Në fakt nuk më pёlqente të më ndёrprisnin nga loja. E keqja ishte qё gjyshja kishte edhe dy shoqe të tjera shamizeza që nxirrnin kokёn nga dritaret dhe më pyesnin për të. Ndonjёherё doja të bëja sikur s’dëgjoja, por ishin shoqet e gjyshes. Më dukej se të gjitha plakat me shami të zeza në kokë ishin shoqe të gjyshes.
Njё ditё, gjatë pushimeve verore para se të hyja në klasën e gjashtë, tek po haja e shkujdesur njё copё petull, gjyshja qё po shpupuriste prushin nё sobё, u kthye nga unë dhe tha:
-Mbuloi ato gjunjё tё shtrembёr, se mёrzitem kur t’i shoh!
U tremba shumë nga toni i papritur i gjyshes dhe veçanёrisht nga pёrplasja e mashёs mbi dysheme. Sytё e kaltёr tё saj nuk ishin të butë si zakonisht. Në të kundërt. Ika nga kuzhina e gjyshes dhe u mbylla nё dhomёn time dhe qava. Gjyshja s’më kishte folur kurrё ashtu. Edhe kur e mёrzisja ndonjёherё, pёrsёri pajtoheshim shpejt. Kisha mësuar dobёsinё e saj për akullore. Zbrisja me vrap nё trotuar ku qëndronte karroca e akullores. Blija njё kaush me akullore pёr vete, dhe njё pёr gjyshen. I bija derёs lehtë-lehtё tre herё, dhe zgjasja dorёn me kaushin e akullores. Gjyshja qeshte me atë“ho-ho-ho-në”e saj të veçantë dhe gjithёçka ishte nё regull. Po kёsaj radhe qe ndryshe. Mora inat me gjyshen. U ngrita nga shtrati dhe iu afrova pasqyrës së madhe të dollapit. Ngrita pak fustanin dhe bashkova kёmbёt. Më puthiteshin plotёsisht. Pse më tha gjyshja që i kam tё shtrembёr? Gjithësesi, vendosa të mos dalë nga dhoma deri sa mamaja të kthehej nga puna. Kur ajo hyri në shtëpi, unë i dola përpara:
-Mami! Gjyshja mё shau. Më tha qё i kam gjunjёt e shtrembёra! Ja mё thuaj ti, i kam tё shtrёmbёra? Nёna më afroi pranё vetes. E kishte kuptuar hilenё e gjyshes. Më tha se kisha hedhur shtat e s’duhet t’i mbaja mё aq tё shkurtёra fustanet. Atë pasdite ajo ia uli palёn fustanit tim katёr gisht, dhe më porositi qё kur tё ulesha tё isha mё e kujdesёshme, e jo të rrija me këmbë të hapura.
Kur mbusha trembëdhjetë vjeç gjyshja filloi të më mёsojë se si tё punoja me shtiza dhe me grep. Por kjo më mërziste. Më pëlqenin më shumë rrëfenjat e saj. Ato i thithja. Pas çdo legjende tё gjyshes, bija nё mendime. Më kishte thënë se dikur,në moshën time, vajzat bëheshin gati të shkonin tek burri, dmth të martoheshin. Më tregoi për vajzat malësore që i fejonin që në djep.
-Edhe ty qё nё djep të kanё fejuar? e pyeta unë duke shpresuar që të dëgjoja ndryshe për të.
-.Edhe mua! -tha ajo dhe qeshi: ho-ho-hoo!
-Ma vunё token e floririt nё djep. Isha njё foshnjё e shёndetshme. Plot djepi. Kёshtu mё kanё treguar. Ishte verё dhe djepin nëna ime e kishte lёnё pёrjashta nё oborr. Aty erdhi plaku i shtёpisё sё gjyshit tёnd, dhe tha:” Kjo vajzё ёshtё pёr shtёpinё tonё”.
-.Uaaa! Po gjyshi? Ku ishte gjyshi atёhere?
-.Gjyshi yt, duhet tё ketё qenё duke ecё kёmba dora nёpёr shtёpi. -.Hahahaha! qesha unë, që e kisha vështirë të përfytyroja gjyshen në djep dhe gjyshin këmba doras.
-.Por sa vjeç ishit kur u martuat?
-.Unё isha tetëmbëdhjetë vjeç atёhere, dhe ai njёzet.
-.A ishte djalё i bukur gjyshi, nana?
-.Po, ai ka qёnё i gjatё e i pashёm.Unё isha e shkurtёr.
-Ti je e bardhё, dhe e rrumbullakёt nana, je si..si..akullore,- thashë dhe gjyshja qeshi edhe njёherё me “ho-ho-nё e saj.
Dhe kridhesha nё ёndrra. Vajzat malsore me siguri mendonin tёrё jetёn e tyre se si do tё ishte ai me tё cilin do tё martoheshin. I gjatё? I shkurtёr? I pashёm? I shëmtuar?
A nuk u rrihte zemra nё çdo hap qё hidhnin duke menduar se pёrpara do t’u dilte papritur i fejuari, që s’e kishin parë kurrë? Fantazoja një burim uji. Ai shfaqej gjithnjё si nё mjegull, gjithnjё tek burimi, tek i kёrkonte vajzës njё pikё ujё nga kotruvja e saj. Po ai mund tё pinte vetё ujё nga burimi apo ajo? Po ashtu nuk do tё ishte bukur! Në përfytyrimin tim shihja dy duar tё bardha, tё bashkuara me njëra- tjetrën dhe nё atё gropё uji duarsh, trimi vinte buzёt dhe pastaj e falenderonte vajzën. Atёherё sytë e tyre kryqëzoheshin dhe e pёrcillnin njeri-tjetrin nё mendime.
Shkundja jastekun dhe kthehesha nё krahun tjetёr, por edhe prej andej më ndiqte pёrfytyrimin i djalit tё pashёm qё afronte buzёt tek duart e vajzës.
Njё ditё gjyshja më tha se do të më tregonte thesarin qё mbante fshehur nё raftin e saj. Siç më kishte premtuar kur isha në fillore. Ajo e hapi raftin me një çelёs tё vogёl qё e nxorri nga gjiri. Nga rafti i hapur erdhi njё erё e mirё. Gjyshja paskesh vendosur aty brenda njё dorё borzilok tё tharё. Dhe pastaj tё mbёshtjellё me çarçaf, njё kostum gruaje të krahinës së saj, qё e hapi me kujdes mbi shtrat. Njё fustan i bardhё me shumё rrudha, me njё jakё tё mbyllur tek gryka e pala tё vogla tё mbi gjoks, të tegelisura, mbuloi tёrё shtratin. Pastaj gjyshja nxorri njё pallto shajaku të bardhë, tё njё modeli tё veçantё dhe tё qёndisur nga tё gjitha anёt si me rriga tё kuqe qё lakonin bukur gjatë bordurave.
-Sa i bukur! Me dorё ёshtё punuar? -pyeta unë
-Ka patur mjeshtra nё atё kohё, – tha ajo dhe pranё tij vendosi njё rrip tё punuar ngjeshur me vija tё kuqe, qё ajo e
quajti qemer, e më pas njё jelek tё qёndisur kadife, ngjyrё vishnje, njё shami tё zezё mёndafshi, njё pёrparse tё kuqe, njё varёse sermi tё cilёs ishin ngjitur disa “pare” dhe disa vathё të mëdhenj të rrumbullakët qё mu dukёn tё mahnitshёm.
-.Oh, nana, sa tё bukura! thirra unë. A ta provoj fustanin? Tani jam zgjatur.
-.Me kёto rroba vajz-o, jam martuar unё, e me kёto do tё mё vishni ditёn e fundit. Ky ёshtё amaneti im.
Papritur ndjeva sa sa tё rёndёsishme ishin ato rroba pёr gjyshen. Kjo kishte qёnё arsyeja qё ajo i mbante gjithmonё tё mbyllura me kyç.Gjyshja më ndihmoi tё vishja rrobat e saj. Nuk m’i bëri gërshet flokët, siç i bënte për vete, dhe shaminë e zezë ma lidhi nën gushë.
-Kështu e lidhin vajzat shaminë, deri sa të martohen! -tha ajo dhe unë mësova një gjë më shumë. Nuk mbaj mend ishte ajo ditë apo një tjetër kur gjyshja më tregoi për nusen që vdiq mbi kalë. Historia kishte lidhje me familjen ku ajo kishte lindur dhe në krahinë kishte marrë përmasat e legjendës…

Nju Jork, 2012

Comment

*