Godfrey: Presim që marrëveshja Kosovë–Serbi të arrihet para zgjedhjeve në SHBA

Beograd, 14 janar 2020 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Anthony Godfrey, ka thënë se shpreson që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë një marrëveshje përpara zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Pritjet tona janë që para zgjedhjeve në SHBA (3 nëntor), do të ketë progres në procesin e dialogut Beograd-Prishtinë. Progresi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit, kështu që ne do të punojmë në mbështetje të dialogut”, ka thënë Godfrey për Veçernje Novosti, transmeton Gazeta Express.

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është bllokuar që nga nëntori i vitit 2018, kur Kosova e kishte vendosur taksën 100 % ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina.

Serbia e kushtëzonte kthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e kësaj takse.

Për kthimin e palëve në negociata janë angazhuar edhe dy përfaqësues special të SHBA-së, Matthew Palmer dhe Richard Grenell.

Dialogu Kosovë-Serbi pritet të rifillojë pas krijimit të qeverisë së re të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka fituar të drejtën për krijimin e qeverisë, është shprehur për zëvendësimin e taksës me vendosjen e reciprocitetit. Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, ka deklaruar se para se të ulet në tryezë me përfaqësues të Serbisë do të nisë dialogun me serbët e Kosovës. (r.m.)

 

Comment

*