“Gomari s’flytyron…por ne besojmë!”

Ndue Ukaj

Kur do të shkruash diçka për dramën tragjikomike shqiptare, të kujtohet Faik Konica dhe mendimet e tij të rrepta dhe të vlefshme, dhe me vete thua: ç’kemi nevojë të shkruajmë, ne, breznia e sotme, kur të gjitha duket se i kanë thënë të diturit, si Konica, Fishta, Noli, Merxhani, Harapi, Koça, etj.

A nuk është më mirë të bëhemi nxënës të tyre, sepse, duke u bërë nxënës të tyre, mund të afrohemi kah portat e lirisë dhe të përparimit?

Pa dyshim, sikur të bëheshim nxënës të këtyre titanëve, punët e kombit shqiptar do të ishin shumë më mirë, por ja që raporti ynë më historinë dhe kulturën, vazhdon të jetë negativë, ndërkaq ne vazhdojmë të mbesim nxënës të dobët të historisë.

Konica ka shkruar një sërë tekstesh të dobishme, që mund të lexohen edhe në kontekstin e sotëm shqiptar, sepse janë analiza që tingëllojnë sikur të ishin shkruar tani, në Tiranë dhe në Prishtinë. Kjo tregon ç’mendje e madhe ishte Konica, por njëkohësisht sa të paaftëtë dhe të pazototë që jemi ne për të kaluar nga ky stadi primitiv kah një shoqërie e përparuar dhe e organizuar mirë.

Konica, ashtu sikurse edhe sivëllezërit e tij shkrimtarë, ishte i ditur dhe i rreptë, i pa kompromis me veset dhe të këqija shqiptare, të cilat i stigmatizonte si pakkush. Sepse ai besonte se beteja për të emancipuar një popull, nuk mund të bëhej duke i ikur të vërtetës, por duke e trajtuar atë dhe duke shkulur me rrënjë të keqen.

Po ashtu, i besonte se beteja për të emancipuar dhe kulturuar një popull, nuk mund të bëhej nga rrahagjoksë, por nga njerëz të dijes, të hollë dhe të iluminuar, që problemet e shoqërisë dhe të raporteve ndërkombëtare nuk i qëmtojnë nga kafetë dhe çajtoret plot tym duhani, por nga dija, librat dhe kultura.

Kur e sheh se me ç’mentalitet foshnjor flasin sot shqiptarët për problemet e tyre dhe raportet me botën, nuk ke sesi të mos thirrësh autorin e madh në ndihmë.

Dhe, teksti i tij, “Gomari s’flytyron…por ne besojmë!” është një manual për t’u bërë nxënës të mirë dhe një flakaresh për edukues të këqij.

Faik Konica:

“Nofta kombi ynë do kish sot një faqe tjatër, fare të ndryshme nga e sotmja, po të qe populli pak më serios dhe t’i gërmonte punët pak më thellë e me më tepër gjykim. Mjerisht, ne Shqipëtarët jemi njerës superficialë, njërës që shohim vetëm cipën dhe nuk çajmë kokën të hyjmë në të thellat. Mjafton për ne që të na thonë se kemi qetësi, pa se vriten njërës dita me ditë (e në mes të ditës), se bëhen vjedhje, se grabitet mall e gjë toptan, se rrëmbehen gra e bëhen qindra turpe të tjera, aqë na bën.

… Sa kohë që ne besojmë edhe kur na thonë se flytyron gomari, le të mos presim ngritjen tonë sociale dhe politike. Se ç’pret prej një populli që sheh me syt’ e tij vrasje, vjedhje, grabitje e të këqia të tjera dhe duartroket qeverinë kur i thotë ajo që ka qetësi të plotë! Ka keq edhe më keq dhe vendi ynë ka parë ditë më të errëta se të sotmet, po të paktën, le të mos mburremi; dhe le të mos qërtojmë e të shajmë ata që përpiqen për një qetësi të vërtetë, për një qetësi të dalë nga shpirti dhe dëshira dhe jo të shkakëtuar prej drurit dhe prej burgut.

Na thonë, se qetësia mbretëron në Shqipëri; e besojmë. Na thonë, se për tre javë do ndodhet eksperti i financave në Shqipëri, gëzohemi. Na thonë, se qeveria do blerë dhjetë aeroplanë dhe japim me duart plot. Na thonë, se për pak kohë Shqipëria do të bëhet oksidentale, duartrokitim. Na thonë, se qeveria e shpëtoj shtetin nga një rezik i madh, thërrasim me tërë fuqinë: “rroftë qeveria kombëtare!”. Na thonë se flytyroi gomari… ne e besojmë!”

Comment

*