Goran Rakiq zgjidhet kryetar i ri i Listës Serbe

Prishtinë, 17 korrik 2017 – Kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, është zgjedhur kryetari i ri i Listës Serbe.

Zgjedhja e Rakiqit në krye të Listës Serbe është bërë në mbledhjen e sotme të Kryesisë së partisë, të mbajtur në Mitrovicën Veriore.

Kryetari i sapozgjedhur, Rakiq, ka thënë se do të angazhohet që Lista Serbe të bëjë edhe më shumë për të drejtat e komunitetit serb dhe të komuniteteve tjera pakicë në Kosovë.

Në mbledhje është marrë vendim që, tash e tutje, Lista Serbe t’i marrë të gjitha vendimet me konsensus në kryesinë e partisë dhe në konsultime me Beogradin zyrtar.

Kryetari i derisotëm i Listës Serbe, Slavko Simiq, besohet se do të mbajë ndonjë pozitë të rëndëishme në institucionet qendrore të Kosovës, pas konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të Qeverisë së re.

Gazeta beogradase “Novosti” shkruante se Simiqi do të propozohet për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.

Ditë më parë, në Beograd ishte lansuar ideja që një serb të zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Por, kjo është e pamundur, pasi Kushtetuta e Kosovës thotë se kryetari i Kuvendit propozohet nga subjekti politik që fiton më së shumti vende në kuvend. (r.m.)

Comment

*