Grabitja në Rinas, Gati procedimet për zyrtarët e TIA-s dhe Avicionit Civil

Tiranë, 3 maj 2019 – Gjurmimi për gjetjen e autorëve të grabitjes në Aeroportin e Rinasit nuk i ka penguar prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që të përcaktojnë përgjegjësitë për thyerjen e sigurisë së aeroportit. Nga zbardhja  e dokumentacionit të sekuestruar në Aviacionin Civil dhe TIA kanë dalë edhe përgjegjësitë për zyrtarët të cilët kanë pasur detyrë të merrnin masa për të parandaluar grabitjen.

Krahas gjurmimit të autorëve të grabitjes, prokurorët Arenc Çela, Klodian Braho dhe Besnik Muçi, të cilët po merren me këtë dosje, kanë vijuar veprimet edhe për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Burime nga grupi hetimor kanë bërë me dije për RTV Ora se është zbardhur i gjithë dokumentacioni i sekuestruar në Aviacionin Civil dhe në TIA që ka të bëjë me marrëdhënien me Aeroportin e Rinasit,  ku janë përcaktuar përgjegjësitë për zyrtarët.

Burimet kanë bërë të ditur se për disa prej tyre do të kërkohen edhe masa sigurie.

Burimet kanë bërë të ditur se hetuesit  kanë konstatuar probleme me kontrollet  periodike  tre mujore që duhet të kryheshin në aeroport, problematikat e evidentuara dhe masat e marra , duke pasur parasysh se ngjarja e ndodhur ne 9 prill ishte e përsëritur.

Në skaner të prokurorisë janë edhe veprimet dhe koha e reagimit të punonjësve të sigurisë dhe të kompanisë së sigurisë ICTS, kur grabitësit arritën të hynin dhe të dilnin pa u shqetësuar nga personat përgjegjës që ishin ngarkuar me sigurinë e brendshme të aeroportit.

Ndërkohë nga mjekësia ligjore ka mbërritur në prokurori dhe akt-ekspertiza e vdekjes së Admir Muratajt, personit që mbeti i vrarë  pas grabitjes.

Në dokument janë gjurmët e gishtave të cilat i përkasin Muratajt.

(Ora News.tv)

Comment

*