Gratë që ia zbardhën fytyrën Kosovës

Prishtinë, 2 janar 2018 – Shumica e sukseseve të para ndërkombëtare të Kosovës si shtet janë fitoret individuale të grave të suksesshme.

Shteti më i ri i Evropës, i cili sivjet shënon 10 vjetorin e pavarësisë, u promovua më së miri në arenën ndërkombëtare nga disa gra, të cilët prekën majat në fushat e tyre.

Viti 2017 shënoi një 365 ditësh të mbushur me agjenda politike, duke mos ndihmuar shumë në imazhin e shtetit të ri në botë.

Por, këtë e bënë disa gra të jashtëzakonshme nga qytete të ndryshme të Kosovës, të cilat e përfaqësuan denjësisht shtetin tonë, sidomos në borën e artit e të sportit.

KALLXO.com ka listuar disa nga gratë dhe vajzat që arritën suksese të shkëlqyeshme gjatë vitit 2017.

 

Majlinda Kelmendi

Kjo vajzë nga Peja kampione evropiane, botërore dhe olimpike në xhudo.

26 vjecarja ka arritur që shtetit të Kosovës ti sjellë për herë të parë një medalje të artë nga Lojërat Olimpike.

Për më tepër , fitorja e saj në lojërat e vitit 2016, shënoi medaljen e parë të cfarëdo lloji për Kosovën në pjesëmarrjen e parë si shtet në këtë organizim.

Ajo praktikon xhudon që nga viti 1999 me trajnerin Driton Kuka, ndërsa që nga viti 2009 vazhdimisht ka fituar tituj në garat botërore të xhudos.

Këtë vit ajo morri titullin ‘Xhudistja më e Mirë e Kohës’ nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

 

Distria Krasniqi

Qyteti i Pejës i solli Kosovës edhe një tjetër medaliste në fushën e Xhudos.

Distria Krasniqi, 22 vjecare ka shënuar suksese të mëdha në këtë fushë edhe në kohën kur nuk ka mundur të përfaqësonte shtetin (ende të pashpallur), të Kosovës.

Megjithatë, kjo vajzë është kampione për Kosovën në kategorinë junior dhe mori disa medalje në gara evropiane dhe botërore.

Krasniqi mori medaljen e artë në Grand Prix në Hagë dhe u bë kampione evropiane në Podgoricë.

 

Gentiana Beqa

Atletja nga Gjakova përvec se udhëheq një jetë të shëndetshme që vizatohet në linjat e trupit, ajo është një kampione e kësaj fushe.

Beqa e cila është edhe nënë e tre fëmijëve këtë vit ka fituar titullin e kampiones botërore për ‘BodyBuilding’.

Ajo mori këtë titull në dhjetor, si vazhdë e disa sukseseve dhe medaljeve që ajo mori për fitnes.

Ajo po ashtu është asistentë profesoreshë në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës.

 

Dua Lipa

Prishtinasja  e re mori Evropën në duar, kur filloi performancat e saj në Mbretërinë e Bashkuar

Vajza e këngëtarit Dukagjin Lipa arriti suksese ndërkombëtare në toplistat  e muzikës.

Përderisa vlerësohe si një këngëtare e re dhe mjaft e sukseseshme në Londër, ajo ka performuar nëpër botë me një pritje po aq entuziaste.

Në gusht, ajo u rendit e para në toplistë në Mbretërinë e Bashkuar.

 

Rita Ora

Një tjetër vajzë nga Prishtina, sot është këngëtare e njohur në Angli.

Ora që shkoi në Mbretërinë e Bashkuar si refugjate 1 vjecare, atje arriti të krijojë një karrierë muzikore të qëndrueshme.

Ajo ka kryesuar toplistat e Anglisë pesë herë, me këngët e saj si e vetme dhe në bashkëpunime

 

Era Istrefi

Duke jetuar në Kosovë, vajza nga Prishtina bombardoi toplistat me një  këngë të titulluar ‘BonBon’

Shpërndarja virale e këngës, bëri që Istrefi të nënshkruajë kontrata ndërkombëtare për të sjellë më pas edhe disa hite të tjera.

Megjithëse , kënga ‘BonBon’ doli më 2016, këtë vit ajo arriti afër 500 milionë klikime në Youtube.

 

Flutura Ibrahimi

‘Majat e Majave’, këtë vit u arritën edhe nga një vajzë tjetër, që nuk e ndal as shiu e as bora.

Vajza me nofkën ‘Uta’ arriti në majën më të lartë në botë, në malin Everest në maj të këtij viti.

Ajo u bë e para nga të gjithë kosovarët që arriti këtë pikë në alpinizëm ndërsa në maje të malit ajo nguli flamurin e Kosovës dhe flamurin e Shqipërisë..

 

Arineta Mula

Në po të njëjtën, ditë një vajzë tjetër kosovare arriti në mbi 8 mijë metra lartësi me një grup alpinistësh.

Mula kaloi të gjitha sfidat për të arritur në atë që quhet maja e botës dhe këtë ajo e kishte përshkruar si një ‘tejkalim i fjalës e pamundur’

(Doruntina Baliu, Kallxo.com)

Comment

*