Greqia 2 miliardë investime për kanabisin mjekësor, Shqipëria preferon të pasurojë krimin e organizuar

Ruben Avxhiu

Parlamenti i Greqisë pritet që të aprovojë në fillim të këtij vitit legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor.
Ky ndryshim pritet të sjellë deri në dy miliardë euro investime për kultivimin dhe prodhimin e bimës me shumë vlera medicinale e qetësuese. Kompanitë që kanë treguar më shumë interes për të investuar në këtë sektor në rritje të bujqësisë janë kanadeze, izraelite, po edhe disa vendase.
Një panair i organizuar me këtë rast afër Athinës tërhoqi mbi 100 biznese të huaja dhe vendase që ekspozuan aftësitë e tyre prodhuese e tregëtuese për bimët mjekësore.
Kjo ngjarje vijon legalizimin e përdorimit për arsye argëtuese të kanabisit në California të SHBA-së.
Zhvillimet në Greqi në këtë drejtim janë në kontrast të thellë me ato në fqinjin verior ballkanas, Shqipërinë, ku përpjekja donkishoteske për të ndaluar kultivimin e kësaj bime, ia ka dorëzuar miliona euro fitime krimit të organizuar, ka pasuruar gangsterët, ka korruptuar politikanët dhe ka vënë në dyshim të gjithë strukturën e drejtësisë në vend.
Në vend që shteti të kishte treguar frymë nismore dhe të kishte marrë në duar prodhimin (pa qenë nevoja të lejonte përdorimin) ose të kishte lejuar një liçensim për kultivimin e kujdesshëm dhe një treg të kontrolluar rreptë e të taksuar fuqishëm të tregëtimit, shteti shqiptar preferon që humbjeve nga shpërdorimi i shansit historik t’u shtojë edhe humbjet financiare nga shpenzimet për luftën kundër kultivimit dhe tregëtimit ilegal.
Shumica e urrejtjes kundër kësaj bime vjen nga injoranca. Kanabisi ndryshe nga kokaina, heroina e droga të tjera, nuk është një prodhim laborator kimik. Ajo është në fakt natyrale, ka qenë këtu në tokë para njeriut dhe mund të vazhdojë të jetë kur të jemi zëvendësuar nga ndonjë specie tjetër më e përparuar. Për ironi të fatit, ky qendrim, që thuhet se niset nga arsye morale, po i shkakton Shqipërisë edhe dëme të tjera. Si për shembull vonesa në integrimin në Bashkimin Europian, mungesa të mëdha në vendosjen e pushtetit të ligjit dhe akoma më keq: jetë njerëzish.
Kur filloi sulmi i parë në vend kundër kultivimit të kanabisit në Lazarat, shkrova një shkrim të ngjashëm në favor të legalizimit që u prit me reagime shumë negative nga lexuesit. Sot, disa vite më vonë, situata është keqësuar shumë më tepër. Shqipëria jo vetëm që nuk ka mundur që ta mposhtë krimin e lidhur me këtë veprimtari po është njollosur në sytë e botës si vend me kriminalitet të lartë.
Ndërkohë Greqia fqinje që ka lënë mënjanë hipokrizinë e gjoja moralitetit të kësaj çështjeje po bëhet praktike duke përqafuar një industri që do të bëhet shumë shpejt e ligjshme në të gjithë botën.
Shqipëria ka një klimë të ngjashme. Ne mund të konkurrojmë dhe të fitojmë shumë më tepër, duke e bërë vendin tonë më të pasur e duke i lënë kriminelët me gisht në gojë. Kanabisi – në vend të një historie krimi – për Shqipërinë mund të kthehet në një histori të sukseshme bujqësie e biznesi.
Ndoshta Demokratët mund të binden që ta bëjnë këtë nëse besojnë vërtet se Edi Rama dhe grupi i tij po pasurohen nga trafiku i kanabisit. Pse të mos ua heqin këtë mjet pasurimi e korruptimi nga dora? Në mënyrë të ngjashme Socialistët mund të binden për legalizimin se kjo do ta linte opozitën pa akuzën e saj më të përfolur dhe më të përsëritur nga media e huaj. Pse nuk do të donte Rama që të hiqte qafe akuzën më të rëndë që i bëhet prej vitesh në mënyrë të pashmangshme?
Unë nuk e kam provuar kurrë dhe as nuk e di se cilat kompani mund të vinin për të investuar në këtë vend. As cilat pjesë të Shqipërisë mund të ishin më të gjeturat për ta prodhuar në mënyrë cilësore. Këto besoj i përzgjedh vetë tregu me kalimin e kohës. Po nga pikëpamja politike e ligjore, nëse hedh sytë në mbarë botën, ligjërimi i mbjelljes, tregëtimit dhe përdorimit vetëm ka ardhur duke u shtuar. Prirja është e qartë.
Shqiptarët nuk kanë pse nxitohen por as duhet të vonohen. Le të dërgojnë specialistë të profesioneve të ndryshme, sidomos nga fusha e mjekësisë, farmaceutikës dhe bujqësisë në vendet ku përdorimi është i ligjhëm dhe të gjykojnë vetë. Le të bëjnë një debat të informuar në publik, në vend të moralizimeve idiote të njerëzve të paditur që flasin për të shpalosur veten si figura të moralshme e të pakorruptueshme. Mjaft me shenjtërit qesharakë të skenës publike shqiptare. T’i thërrasim pak arsyes dhe të gjejmë një rrugëdalje për shumë gjëra njëkohësisht. Nëse nuk e duam ta thithim vetë, le t’ua shesim ligjërisht të tjerëve. Le t’ua shesim spitaleve dhe farmacive të botës. Sidoqë të jetë është më e ndershme dhe më etike sesa armët dhe municionet që u kemi shitur vendeve në konflikt për dekada me radhë.

 

Comment

*