Greqia në zi: Së paku 81 të vdekur, 187 të plagosur, shumë të humbur

Athinë, 25 korrik 2018 – Greqia është në zi kombëtare për tragjeditë që shkaktuan flakët e zjarrit në rrethinë të Athinës.

Flakët e zjarrit ua kanë marrë jetën së paku 81 personave.

Por, numri i viktimave mund të rritet ende. Më se 187 persona të tjerë po trajtohen në spitale nga plagë të natyrave të ndryshme. 10 prej tyre raportohet se janë në gjendje kritike.

Përveç kësaj, askush nuk e di numrin e personave që konsiderohen të zhdukur. Skuadrat e kërkim shpëtimit po kërkojnë egura për persona të humbur nëpër shtëpitë dhe makinat e dj. Shumë qytetarë po i kërkojnë të afërmit e tyre edhe përmes televizioneve apo rrjeteve sociale.

Ambasada e Shqipërisë në Athinë nuk ka ende informacion se në mesin e viktimave gjendet ndonjë shtetas shqiptar. Deri më tash ambasada ka konfirmuar informacionin për 3 të plagosur, dy prej të cilëve janë fëmijë nga Fieri.

Më shumë se 280 zjarrfikës janë ende në zonë në verilindje të Athinës dhe vijojnë të shuajën flakët. Ndërkohë 200 zjarrfikës të tjerë ndodhen në perëndim të Athinës, për të shuar flakët në zonë, prej nga autoritetet evakuan gjatë natës tri komunitete.

Mediat greke shkruajnë se ndërsa mobilizimi i njerëzve “të zakonshëm”, vullnetarë, peshkatarë, të gjithë ata që kontribuan dhe kontribuojnë me çfarëdo mjeti ishte i jashtëzakonshëm, ndërsa shteti përsëri provoi se është i papërgatitur për t’u përballur me kriza kaq të mëdha.

Flakët e zjarrit që pushtuan Atikën Perëndimore dhe Atikën Lindore, zona turistike në afërsi të kryeqytetit grek Athinës, e shndërruan zonen në një gërmadhë. Sipas një bilanci paraprak të autoriteteve lokale, zjarri ka djegur plotësisht 2500 shtëpi dhe i ka dëmtuar rëndë mbi 4000 shtëpi të tjera.

Ende nuk dihet shkaqet e shpërthimit të zjarrit. Mediat greke raportojnë se 5 persona të dyshuar janë arrestuar pas mesnatës në Neo Vuja.

Zyrtarët e policisë që patrullojnë zonat e djegura i kanë identifikuar katër të rinj të tjëerë si të dyshuar për zjarrin Neo Vuja. Një person tjetër, shtetas i huaj, ishte dorëzuar më parë. (r.m.)

Comment

*