Greqia “vrau” integritetin territorial shqiptar me duart e qeverive shqiptare

Ambasador Shaban Murati

Cikli i ri i mundësisë së humbjes së re të integritetit shqiptar të detit territorial filloi zyrtarisht në 25 Dhjetor 2020 me dekretin presidencial grek të zgjerimit të njëanshëm të ujrave territoriale greke në detin Jon.

Sirenat e detit, që nuk janë më greke, por janë shqiptare dhe vegjetojnë në selinë e kryeministrisë në Tiranë, nxituan të këndojnë këngën greke të së drejtës së Athinës për këtë zgjerim dhe i fshehën popullit shqiptar gremisjen e re, që dekreti presidencial grek hap për integritetin territorial shqiptar.

Në dekretin presidencial grek neni 1, pika 2, thuhet tekstualisht: “Ky dekret do të zbatohet në zonën detare nga pika më veriore e rajonit të ishujve të detit Jon”.

Kjo do të thotë se Greqia do të zbatojë zgjerimin e saj të njëanshëm të ujrave territoriale edhe në ishujt Othonoi dhe Erikuza, që ndodhen përballë bregdetit shqiptar. Zyrtarët shqiptarë, idiotë të dobishëm të Greqisë, që duan ta venë në gjumë popullin tonë me thagmën se “Greqia ka të drejtë të zgjerohet, sepse nuk e ka përballë Shqipërinë”, harrojnë që Shqipëria ka përballë ishujt grekë, ku Athina llogarit zgjerimin e ujrave të saj territoriale sipas dekretit presidencial.

Ishulli grek Erikuza ndodhet 13,4 milje larg bregdetit shqiptar. Sipas njërit nga ekspertët më të mirë të marrëdhënieve detare midis dy vendeve, i cili tani jeton në një shtet të NATO-s, gjatë gjithë historisë së marrëdhënieve midis dy shteteve, nga flotat tregtare dhe ushtarake të të dy palëve është respektuar në vijën Erikuza-Porto Palermo e drejta e Shqipërisë për 12 milje të ujrave territoriale shqiptare dhe pjesa tjetër i takonte ujrave greke.

Po tani që Greqia pritet të zgjerojë ujrat territoriale të ishujve grekë në 12 milje, ku do të shtrihet, përveçse duke hyrë dhe duke përpirë ujrat territoriale shqiptare? A do ta pranojë Shqipëria këtë dhunim flagrant të sovranitetit dhe të integritetit të saj territorial, kur regjimi i kufirit detar midis dy shteteve në linjën Erikuza-Porto Palermo ka qenë gjithë jetën 12 milje ujra detare shqiptare?

Përveç kësaj, Greqia, siç e ka në praktikën dhe në strategjinë e saj detare, pritet të pretendojë për këtë ishull edhe shelf kontinental, edhe zonë ekonomike ekskluzive, të cilat një zot e di se ku deri ku mund të shtrihen, por është e sigurt që në hartat greke shkojnë deri në Korçë. Greqisë nuk i intereson nëse ishulli Erikuza mund të jetë i mbështetur në shelfin kontinental të Shqipërisë dhe as absurdi se si mund të pretendohet në këtë situatë shelf kontinental grek, kur nuk i takon atij ishulli.

Po ashtu mund të thuhet edhe për ishullin tjetër grek Othonoi, që është 20,3 milje në jugperëndim të Spilesë (Himarë). Edhe në vijën detare Othonoi-Spile, sipas ekspertit shqiptar, është respektuar historikisht nga të dy shtetet e drejta e 12 miljeve për Shqipërinë.

Nëse qeveria greke vendos zgjerimin 12 milje të ujrave territoriale greke për Othonoin, kjo mund të realizohet vetëm duke kafshuar disa milje të ujrave territoriale shqiptare.

Thelbi i çështjes në kërcënimin e ri, që paraqet akti ligjor i dekretit presidencial grek, është se në raport me Shqipërinë pritet që Greqia të manovrojë me statusin dhe me efektin e ishujve grekë në veri të Korfuzit dhe përballë bregdetit shqiptar për të sanksionuar akaparimin e hapësirave detare shqiptare.

Djalli i diplomacisë detare greke me Shqipërinë fshihet te detajet e efektit të ishujve grekë përballë bregdetit shqiptar për t’ia imponuar qeverisë dhe diplomacisë shqiptare aktin antishqiptar të pranimit të të papranueshmes: ratifikimin e kufirit shtetëror detar midis dy vendeve. Strategjisë greke po i vijnë në ndihmë “shën-naumsat” me spaleta dhe pa spaleta të të dy partive kryesore shqiptare dhe të qeverive të tyre, të cilët bërtasin me shumë se Greqia se nuk ka kufij detarë midis dy shteteve në Protokollin e Firences.

Shtrembërimi i tyre historik dhe progrek vjen ngaqë ata bëjnë sikur nuk e dinë se Protokolli i Firences i 27 Janarit 1925 dhe sidomos “Akti përfundimtar i delimitimit të kufijve të Shqipërisë”, i hartuar dhe i vendosur nga fuqitë e mëdha në 30 Korrik 1926 në Paris, të cilin e ka firmosur edhe qeveria greke, edhe qeveria shqiptare, i kanë dhënë status të qartë nominal vetë ishullit të Korfuzit në ndarjen e kufirit detar midis dy shteteve dhe nuk u kanë dhënë dhe nuk mund t’u jepnin ishujve të vegjël rreth e qark ishullit të madh.

“Shën-naumsat” shqiptarë të Greqisë synojnë që të përligjin vënien në diskutim të kufirit detar midis dy shteteve, akt antishqiptar, të cilin e bënë qeveria dhe diplomacia e vitit 2009 dhe qeveria dhe diplomacia e vitit 2018. Kufiri tokësor dhe detar midis dy shteteve është sanksionuar ndërkombëtarisht nga dy aktet e mësipërme themeltare juridike ndërkombëtare, dhe sidomos nga ai i Parisit, të cilin qëllimisht nuk e përmendin asnjëherë “shën-naumsat” shqiptarë dhe as dy qeveritë shqiptare, të cilat tinëzisht bënë objekt bisedimesh kufirin shtetëror detar shqiptar me Greqinë.

Jam mëse i sigurt se qeveria dhe diplomacia shqiptare nuk e kanë ndjekur e as kanë nxjerrë mësime, dhe as e kanë venë ujin në zjarr se çfarë ka ndodhur dhe po ndodh pas marrëveshjes për zonat ekonomike ekskluzive detare, që Greqia nënshkroi me Italinë në 9 Qershor 2020, dhe me Egjiptin në 6 Gusht 2020.

Shprehem kështu, se po t’i kishin ndjekur, nuk do të guxonte të dilte përsëri kryeministri shqiptar pas 25 Dhjetorit presidencial grek dhe të shpërthente në një patetizëm infantil se zgjerimi i ujrave territoriale greke qenka e drejtë e Greqisë dhe nuk e prek Shqipërinë.

Nuk dihet se cili është shkaku i dizekuilibrit shtetëror dhe personal të kryeministrit, i cili vetë deklaroi në 20 Shtator 2020 për publikun grek dhe shqiptar se zgjerimi i ujrave greke nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme, por me marrëveshje midis dy shteteve, dhe pas 25 Dhjetorit përshëndeti dekretin presidencial grek, i cili përçmoi dhe as i pyeti fare as kryeministrin shqiptar dhe as diplomacinë e Tiranës.

Këtu del çështja e madhe e rrezikut, e efekteve dhe e pasojave, që mund t’u vijnë hapësirave të ujrave territoriale shqiptare, shelfit kontinental shqiptar dhe zonës ekonomike ekskluzive shqiptare nga strategjia dhe taktikat diplomatike të Greqisë për t’i imponuar Shqipërisë efektin e ishujve grekë përballë bregdetit shqiptar në delimitimin e ujrave territoriale, të shelfit kontinental dhe të zonës ekonomike ekskluzive të Shqipërisë.

Qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë e kanë modelin dhe manualin diplomatik ndërkombëtar, që duhet të ndjekin në këtë situatë të trazuar.

Shqipëria mjafton dhe duhet të ndjekë praktikën e bisedimeve diplomatike dhe kriteret detare, që ndoqën Italia, Turqia dhe Egjipti, për mospranimin e efekteve të ishujve grekë në delimitimin e hapësirave detare në marrëveshjet, që Italia dhe Egjipti nënshkruan me Greqinë para pak muajsh.

As Italia, as Turqia dhe as Egjipti nuk kanë pranuar në bisedimet e tyre detare me Greqinë që t’u jepet ndonjë efekt ishujve grekë, siç pretendonte diplomacia greke në bisedimet. Italia në marrëveshjen me Greqinë për zonat ekonomike ekskluzive, të nënshkruar në 9 Qershor 2020, i imponoi Greqisë kushtin që edhe nëse Greqia zgjeron ujrat e saj territoriale në detin Jon në 12 milje, flotilja e peshkarexhave italiane do të ketë të drejtën të peshkojë lirisht dhe pa asnjë pengesë e pagesë në ujrat territoriale greke.

Në marrëveshjen me Greqinë për zonat ekonomike ekskluzive, Italia në delimitimin e zonave e përjashtoi efektin e ishujve grekë të Jonit në vijat e ndarjes së zonave midis tyre. Ish-ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias, deklaroi në ditën e nënshkrimit të Marrëveshjes greko-italiane se “marrëveshja i ka lënë ishujt grekë me ndikim të kufizuar, me konsekuencën e së cilës do të përballemi në të ardhmen, dhe ka njohur të drejtën e palëve të treta në ujërat territoriale greke”.

Gazeta greke “Protothema” shkruante në 12 Qershor 2020: “Greqia në marrëveshjen me Italinë nuk i jep të drejta të plota tre ishujve Othonoi, Qefaloni dhe Strofades”. Portali “en.C4defence.com” shkruante në 11 Qershor 2020 se “në marrëveshjen me Italinë zonat rreth ishujve grekë nuk janë përfshirë në kalkulimet”.

Një element të ri tepër interesant zbuluan mediat greke pas dekretit presidencial të zgjerimit të ujrave greke në detin Jon. Qeveria dhe diplomacia shqiptare me siguri nuk e dinë që Italia në bisedimet me Greqinë për marrëveshjen e zonave ekonomike ekskluzive arriti t’i imponojë Greqisë kushtin që Athina për ligjin, që do të hartojë lidhur me dekretin presidencial të zgjerimit të ujrave të saj territoriale në detin Jon, duhet të marrë miratimin e Romës.

Media greke “Balkans.eu” në 28 Dhjetor 2020 bën të ditur se “megjithëse shtrirja 12 milje e zonës bregdetare të Greqisë është një e drejtë e saj, sipas marrëveshjes së demarkimit të nënshkruar me Italinë zgjerimi do të duhet të aprovohet nga Italia dhe nga BE, gjë që shprehet qartë në marrëveshjen greko-italiane”.

Edhe media tjetër greke “greekcitytimes.com” theksonte në 30 Dhjetor 2020 se Greqia duhet të konsultohet me Italinë për zgjerimin. Pra Italia, bregdeti i së cilës është 300 kilometra larg Greqisë dhe nuk ekziston asnjë mundësi teorike që të cënohen ujrat e saj territoriale, i ka vënë kushtin në marrëveshje Greqisë, sepse shtrirja e ujrave territoriale greke në detin Jon mund të prekë zonën ekonomike ekskluzive italiane dhe shelfin kontinental italian.

Kurse qeveria e Shqipërisë, ku zgjerimi i njëanshëm i ujrave territoriale greke cënon kufirin shtetëror detar dhe ujrat territoriale, shelfin kontinental dhe zonën ekonomike ekskluzive shqiptare, duartroket si të jetë një department i qeverisë greke.

Qeveria e Shqipërisë duhet të ketë guximin minimal dhe të deklarojë se Greqia po ndërmerr hap të njëanshëm për zgjerimin e ujrave të saj territoriale pa bisedime, pa marrëveshje (që e kërkoi vetë kryeministri) dhe pa pëlqimin e Shqipërisë. Qeveria e Shqipërisë duhet të ketë dinjitetin minimal shtetëror që të ndërmarrë përçapje diplomatike pranë qeverisë italiane për të mësuar prej saj si mbrohen interesat kombëtare detare, dhe pranë Komisionit Europian të BE në Bruksel, para se ata të japin miratimin për ligjin e ardhëm grek të zgjerimit të ujrave në detin Jon.

Turqia, e cila nuk ka pranuar asnjëherë ndonjë efekt të ishujve grekë në bisedimet detare, që ka zhvilluar me Greqinë që në vitin 2000, përsëriti edhe njëherë me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve të Greqisë me Italinë dhe me Egjiptin për zonat ekonomike ekskluzive, se marrëveshjet nuk kanë marrë në konsideratë efektin e ishujve grekë dhe mbështesin kështu tezën turke që ishujt nuk kanë shelf kontinental dhe as zonë ekonomike ekskluzive.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, deklaroi se Greqia në marrëveshjet e saj me Italinë dhe me Egjiptin nuk e fillon shelfin e saj kontinental nga ishujt në detin Mesdhe dhe në detin Jon.

Përsa i takon Egjiptit, ai në marrëveshjen me Greqinë nuk ka pranuar efektin e ishujve grekë në delimitimin e zonave ekonomike ekskluzive as për ishuj të mëdhej grekë si Kreta dhe Rodosi. Media greke “Balkans.eu” shkruante në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes me Egjiptin se “në këtë marrëveshje qeveria u nxitua të pranojë një ndikim të reduktuar të Kretës, ishullit të saj më të madh në Egje, dhe ka pranuar një demarkim të pjesshëm të zonës ekonomike ekskluzive për ishullin e Rodosit”.

Kurthi i efektit të ishujve grekë përballë bregdetit shqiptar është nyja kryesore në rrjetën diplomatike greke për bisedimet dhe për një marrëveshje detare me Shqipërinë. Kështu e arriti diplomacia greke rezultatin që donte me marrëveshjen e dëmshme detare të vitit 2009, dhe po kështu e arriti edhe me projektmarrëveshjen e dëmshme të vitit 2018, që do të nënshkruhej nga të dy qeveritë në Korçë në Pashkët e prillit 2018. Kështu pritet të veprojë edhe tani, me ndryshimin që intriga diplomatike greke dhe shqiptare tani është më e sofistikuar.

Përvoja, qëndrimet dhe rezultatet e Italisë, të Turqisë dhe të Egjiptit për refuzimin e efektit të ishujve grekë në bisedimet dhe në marrëveshjet detare me Greqinë, janë një model dhe ndihmë e artë falas për qeverinë dhe për diplomacinë shqiptare në katrahurën e krijuar diplomatike. Nuk është i rastësishëm shqetësimi i shprehur nga ish-ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias, se mos Shqipëria ndjek këtë model të sprovuar ndërkombëtar.

“Marrëveshja që ka bërë Greqia me Egjiptin, ashtu si ajo me Italinë, dobëson çdo pozitë të ardhshme biseduese me Shqipërinë, dhe akoma më shumë me Turqinë”, – dha alarmin në 6 Gusht 2020 Kocias, i cili e kupton fare mirë se sa forcohen pozitat e Shqipërisë, nëse refuzon të pranojë efektin e ishujve grekë të Jonit në bisedimet dhe në marrëveshjen e saj të ardhshme detare me Greqinë.

Intriga e madhe diplomatike e qeverisë shqiptare duket i ka mbyllur me dyll veshët dhe sytë e interesit kombëtar.

Duhet të krijojë një shqetësim mbarëkombëtar zhvillimi i ri negativ që ndryshimet dhe humbjet e hapësirave të ujrave territoriale shqiptare, të shelfit kontinental dhe të zonës ekonomike ekskluzive shqiptare në detin Jon po bëhen fakt i kryer në prag të vajtjes dorë për dore të të dy qeverive në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kur Shqipëria dhe Greqia të shkojnë në Hagë do të kenë hartat e reja detare greke me ndryshimet, të cilat i bëri Greqia me dekretin presidencial, dhe i pranoi Shqipëria me deklaratë kryeministrore. Gjykata e Hagës thjesht do të konfirmojë humbjen e integritetit territorial shqiptar në ujrat detare, në shelfin kontinental dhe në zonën ekonomike ekskluzive shqiptare.

Qeveria greke po arrin të verë në fuqi marrëveshjen e vdekur të detit të vitit 2009, që e anuloi Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Këtë marrëveshje të anuluar e rinegocioi paligjshmërisht me Greqinë qeveria e vitit 2018, duke shkelur vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese, duke shkelur edhe mbi veten. Vetëm qeveritë shqiptare, profane në diplomaci, në drejtësi dhe në histori, kanë pranuar symbyllur pretendimet greke për ta rishkruar kufirin detar midis dy shteteve sipas oreksit hidrokarbur grek.

Nëse qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë nuk kundërshtojnë me forcë efektin e ishujve grekë në programin grek të zgjerimit të ujrave territoriale në ishujt e detit Jon përballë Shqipërisë, ato janë me të njëjtin kostum antishqiptar si qeveria dhe diplomacia e marrëveshjes së parë të paligjshme detare të vitit 2009.

Dhe në të dy rastet Greqia e vret integritetin territorial shqiptar me duart e qeverive shqiptare.

©DITA

http://www.gazetadita.al/kopertina-pse-ne-ndryshe-shqiperia-te-ndjeke-italine-turqine-dhe-egjiptin-qe-refuzuan-efektin-e-ishujve-greke

3 Responses to “Greqia “vrau” integritetin territorial shqiptar me duart e qeverive shqiptare”

Read below or add a comment...

  1. Sali Bollati-Çam Shqiptaro Amerian says:

    Faleminderit Intelektual Atdhetar me Njohuri teThella Shkencore e Juridike z. Shaban Murati! I rilexoj me kureshtje e kenaqesi. Fatekeqesisht nuk e ndjej vehten krenar si shqiptar sepse ata qe “qeverisin” ate vend , nuk gjejne kohe as per ti lexuar dhe per ti mbajtur mend e vene ne”programet e rilindasve (varosesave)” te atij vend te Bekuar nga Zoti qe e krijoi dhe i mallkuar nga ato qe e “mbreterojne sot”
    Per ta plotesuar kenaqesine e qirios rama atje ne Athine,micotaqesat “miqesore te Shqiperise”;mendoj se e kane shetitur qirion e tyre edhe prane parlamentit grek atje. ku qirio i ftuar ka patur mundesine per tu njohur edhe me disa emera qytetesh e vendesh Shqiptare si Kelcyre, Himare, Tepelene, Korce e Gjirokaster e tj. qe jane skalitur e mbahen si kujtese per vazhdimesine e programeve e planeve miqesore te ardheshme

  2. Sali Bollati_Çam Shqiptaro Amerikan says:

    Me fal Atdhetar i Nderuar z. Sh.Murati. I lexoj me shume vemendje te vecante shkrimet e juaja kuptimplote Atdhetare ; por nje dicka dua te theksoj se nuk jane duart,por mendja dhe sjellja e atyre te vetequajtur “rilindesa”
    Qirio rama, si duket nuk u qeras me raki ose vere nga Erdogani, dhe ate mungese e plotesoi tek “micotaq-miku”
    Kam mendimin se mbas rakise greke(jo skrapari); micotaqasit e kane shetitur qirio ramen edhe andej prane parlamentit te Athines. per ti treguar sa bukur jane skalitur ne muret atje emerat:Kelcyre, Tepelene, Permet, Leskovik, Korce, Gjirokaster e tj. qe mbahen pa harruar dhe as Ligjin 80 vjecar te luftes dhe qe do perfshihen ne “bisedimet miqesore” te ardheshme

  3. Agim? says:

    ! LAVDI :: FAMILjES MBAR HARADINAJ , LUM PËR POPUlliN ShQIPËTAR,,
    n’tër botën të ShKAPËRDERDhUR t’përndjekur në shekuj,,E tani mburremi
    Ligjërojnë Ndërkombëtarët
    e KOSOVARËT për LEGjENDËN : RAMUSh HARADINAJ:::LAVDI:::””””””\/
    ,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,aGZEUSa,,,,,,,,,made in EuUSA,,,,,,,,,,,,,,,III,,,,,,,,,,,,,,3,14
    [email protected] qyteti:Mitrovicës:Agim R.Zeka KOSOVAR
    Rr.Krala Petra 176/4 kati-1 ndërtesa 10 katshe Shtetas Shqipëtar i lindur
    ,,,Po more DAShAMIR që jemi ,
    ,,,t’kti VATANI a nuk po vrehet :
    Vetkontributet t’para n’botën,,:
    ::shmangimin nga qdo Rracë::
    i pari KOMB MBRETROR n’bot
    ILIRËT = DAShAMIR = ILIRËT_
    lavduQoftë:PERENDIJalLIRVE
    !!! Zoti na besojAUTOKTONIN
    Dashuris ViGjiLENCËNpLOTË
    ::::::::::::::::::::::::::::::::::URIME:::::::
    Z,,,ti RAMUSh HARADINAJ,,,,:
    URIME::PRESIDENT KOSOVA
    RILINDË_MBARVAJTJES t’RE
    KOSOVARE_A,R,B,Ë,R,O,R,E_,,,
    ,,ILIRE-6000,vj,dhe n’të sodit,,,
    _P_R_A_K_T_I_K_Ë_S= ,BU =,,,
    [email protected]
    100%___DEMOKRATËT___Sh.B.A.___HITSORI___BOTËRORRE___%100
    !!!!!!!!!””””””””””””””””””””””””””””””””””””‘”””'”””””””””””””””””””””””””'”””””””””””””!!!!!!!!!!
    ,,,Biden Presidency as VACCINE Delivers Hope To a VIRUS RAVAGED,
    _////”””””””””””””””””””””””””””” NATION in WORD”””””””””””””””””””””””””””””\\\\_
    !!!……………….GËZUAR..2021.USA…DEMOKACIA…ShBA…………………!!!
    “”\\\\__aGZEUSa___Agim R.Zeka__kOSOVAr__made in EuUSA__,,,3,14
    Agim R. Zeka qyteti Mitrovicës Rr,Krala Petra 1 nr,176/4________.RKS
    “””””””””””””””””””””””””””””””” Kontaktimi::::[email protected]____

Comment

*