Greva e avokatëve shkaktoi dështimin e mbi 170 seancave gjyqësore në Kosovë

Prishtinë, 10 janar 2019 – Bojkoti i avokatëve të Kosovës vetëm gjatë ditës së djeshme në gjashtë Gjykatat e Kosovës, ka shkaktuar dështimin e 172 seanca gjyqësore, raporton Gazeta Express.

Të gjitha natyrat e seancave penale, civile dhe për kundërvajtje kanë dështuar të mbahen për shkak të mungesës së avokatëve të palëve.

Si pasojë e bojkotit të përgjithshëm të avokatëve, grevë e shpallur nga Oda e Avokatëve të Kosovës, vetëm për një ditë, nuk u mbajtën më shumë se 100 seanca gjyqësore.

Disa u shtynë, e disa dështuan tërësisht, nga gjashtë Gjykatat Themelore të Kosovës dhe në degët e tyre.

Oda e avokatëve vendosi të enjten që avokatët të bojkotojnë institucionet e sistemit të drejtësisë dhe të policisë hetimore në shenjë të pakënaqësisë ndaj një rekomandimi të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i cili pengon lëvizjen dhe punë në objektet e gjykatave.

Por, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e mbron rekomandimin që avokatëve të mos u lejohet hyrja në gjykata pa thirrje me shkrim ose me gojë nga gjykatësit ose nga kryetarët e gjykatave.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thanë se rekomandimi i Komisionit për Administrimin e Gjykatave për kufizimin e qasjes në objektet e gjykatave nuk e pengon qasjen e avokatëve mbrojtës në gjykata.

“Masa mëton të vendosë një rend shtëpiak nëpër gjykata, të rrisë sigurinë dhe parashikueshmërinë në objektet e gjykatave dhe të pengojë komunikimin e paarsyeshëm ex-partë”, thuhet në sqarimin e KGJK-së. (r.m.)

Comment

*