Greva një ditëshe në arsim, paralajmërim për Qeverinë e Kosovës

Prishtinë, 12 mars 2018 – Sindikata e bashkuar e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë (SBASHK) ka bërë të ditur se të gjitha institucionet arsimore në Kosovë, të të gjitha niveleve, i janë përgjigjur thirrjes për grevë njëditore paralajmëruese për Qeverinë e Kosovës.

“Informacionet tona flasin se të gjitha institucionet arsimore e kanë respektuar apelin për grevë’, ka thënë Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut.

Greva njëditore e punonjësve të arsimit është motivuar nga mungesa e gatishmërisë së Qeverisë së Kosovës që të procedojë për miratim në Kuvend Projekt-ligjin për statusin e punëtorëve të arsimit që kanë punuar në periudhën 1990 – 1999.

Sipas këtij projekt-ligji, rreth 22 mijë mësimdhënësve që kanë punuar në këtë periudhë do t’u sigurohen pensionet dhe benefitet tjera.

Por, projektligji nuk është proceduar ende në Kuvend. Ministria e Financave ka thënë se projektligji ka implikime buxhetore dhe në buxhetin e vitit 2018 nuk është parashikuar shumë e nevojshme për kompensimin e kësaj kategorie.

“Ministria e Financave i mbështet kërkesat dhe Projektligjin, por për ta proceduar atë më tutje duhet të respektohen procedurat ligjore të adresimit. Asnjë ministri apo cili do institucion tjetër nuk mund të procedojë në Qeveri apo në Kuvend asnjë iniciative të re apo të propozojë projektligj për aprovim, nëse nuk paraprakisht e është zgjidhur çështja e implikimeve financiare për vitin fiskal”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Kjo ministri thekson se nuk mund të miratojë asnjë projektligj që nuk hartohet konform procedurave të parapara me Ligjin e Buxhetit, me Ligjin për menaxhimin e Financave Publike dhe me ligjet tjera në fuqi.

Por, SBASHK-u vlerëson se Qeveria është e obliguar të sigurojë buxhetin e nevojshëm për miratyimin e këtij projektligji. Kryetari i kësaj organizate sindikale, Rrahman Jasharaj, i ka bërë thirrje kësaj ministrie që ta zhbllokojë procesin e miratimit të ligjit.

“Kërkojmë nga Ministria e Financave që të mos i vendosen barriera këtij projektligji dhe të realizohen kërkesat tona”, ka thënë ai.

Ai ka paralajmëruar se SBASHK-u do të detyrohet të organizojë protestë të përgjithshme për kohë të pacaktuar në qoftë se kërkesat e kësaj sindikate nuk realizohen deri më 13 prill.

“Kabineti qeveritar, Ministria e Financave dhe autoritetet tjera kompetente, nëse nuk veprojnë si duhet në realizimin e kërkesave të SBASHK-ut, atëherë do të vijë 13 prilli, kur i tërë sistemi arsimor do të shkojë në grevë, jo me greva një ditore, por me grevë me kohë të pacaktuar, deri në realizimin e kërkesave tona”, ka thënë Jasharaj.

Sipas projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit që kanë punuar në periudhën 1990 – 1999, mësimdhënësit që kanë punuar mbi 5 vjet do ë kompensohen me 75 për qind të pagës bazë në arsimin fillor, ndërsa ata që kanë punuar më pak se pesë vjet do të kompensohen me 65 për qind të pagës bazë në arsimin fillor.

Liderët e dy partive kryesore të koalicionit qeverisës në Kosovë, PDK-së dhe AAK-së, para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, ishin zotuar se do ta plotësonin këtë kërkesë të punëtorëve të arsimit. Ata kishin nënshkruar edhe një marrëveshje të përbashkët me SBASHK-un ku parashihet përmbushja e kërkesave të punëtorëve të arsimit. (r.m.)

Comment

*