Gruevski: Në Kumanovë janë vrarë 8 policë dhe 14 “terroristë”

“Kjo s’ishte përleshje mes shqiptarëve dhe maqedonasve, por i atyre që e ruajtën kushtetutën dhe shtetin dhe atyre që e sulmuan atë”

 

Shkup, Prishtinë, 10 maj 2015 – Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka konfirmuar informacionet se në Kumanovë janë gjetur trupat e pajetë të 14 personave, të cilët ai i ka quajtur “terroristë”. Po ashtu, ka trabnsmetuar njoftimin për dorëzimin e rreth 30 të tjerëve.

“Rreth 30 terroristë janë dorëzuar, pas luftës disaorëshe. Ata janë arrestuar dhe do të gjykohen në Maqedoni. 14 trupa të personave të grupit janë gjetur të vdekur dhe po bëhet identifikimi i tyre. Një numër i konsiderueshëm prej tyre kanë marrë pjesë në sulmin në Gushincë”, ka thënë Gruevski, në konferencë për gazetarë, në Shkup

“Qëllimi i tyre ishte destabilizimi i Maqedonisë”, ka theksuar ai.

Gruevski ka konfirmuar edhe informacionet se në përleshjet e armatosura në Lagjen e Trimave në Kumanovë, të shtunën dhe të dielën, janë vrarë 8 policë dhe janë plagosur 37 të tjerë.

Ai u ka shprehur mirënjohje të gjithë policëve që kanë marrë pjesë në operacionin kundër grupit të personave të armatisur në këtë lagje, të cilin e ka vlerësuar si operacionin “më të kompletuar”.

“I falënderoj të gjithë policët të cilët kanë marrë pjesë në këtë operacion më të komplikuar deri më tani”, ka thënë ai.

“Kjo s’ishte përleshje mes shqiptarëve dhe maqedonasve, por i atyre që e ruajtën kushtetutën dhe shtetin dhe atyre që e sulmuan atë”, ka thënë Gruevski.

Ai ka shtuar se qeveria do t’ua ndërtojë shtëpitë e dëmtuara dhe do t;u japë ndihma financiare të gjitha familjeve që u janë dëmtuar shtëpitë.

Kryeministri maqedonas ka mbajtur qëndrim kritik edhe ndaj disa medieve.

“Gjatë ditës së djeshme kishte media që nxitnin urrejtje te shqiptarët, kurse grupi nuk gjeti mbështetjen e populates”, ka theksuar ai. (r.m.)

Comment

*