Grupi Parlamentar i PD-së nuk do ta bojkotojë Kuvendin

Tiranë, 28 maj 2018 – Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike (PD) vendosi të mos e bojkotojë Parlamentin.

Ky vendim u mor në mbledhjen e mbajtyur me dyer të mbyllura, ku ka dominuar opinioni se bojkotimi i parlamentit do ta rrezikonte integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Burime brenda takimit kanë bërë të ditur se Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka thënë se bojkoti i Parlamentit do të largonte vëmendjen nga kërkesa për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

“Lëvizja drejt bojkotit parlamentar në kushtet kur jemi investuar fort për hapjen e negociatave, rrezikon të devijojë vëmendjen nga çështja kryesore”, citohet Basha nga Top Channel.

Basha ka theksuar se largimi i ministrit Xhafaj është i domosdoshëm për hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë.

“Largimi i Fatmir Xhafës është kusht i panegociueshëm i opozitës, veprim i domosdoshëm për hapjen e negociatave. As shqiptarët, as Europa nuk mund të pranojnë që vendi të kalojë nga policia Tahiri- Habilaj te policia Xhafaj dhe prokuroria Rama-Xhafaj”, është shprehur kreu i PD-së.

Basha ka thënë se Xhafaj duhet të largohet për t’i hapur rrugë një hetimi të pavarur lidhur me trafikun e drogës.

“Fatmir Xhafaj duhet të largohet nga pozita e ministrit të Brendshëm dhe të hapë rrugën për një hetim të pavarur dhe të pandikuar nga pushteti që ai mban sot. Policia e Shtetit duhet të çlirohet nga kapja prej klanit Xhafaj, i cili zëvendësoi klanin Tahiri-Habilaj, duke vazhduar të mbrojë krimin dhe trafikun ndërkombëtar të drogës. Lufta kundër krimit dhe drogës është një kusht kryesor i hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, plotësimi i të cilit po vazhdon t’i kërkohet me forcë qeverisë shqiptare nga qeveritë europiane”, ka theksuar Basha.

Ai ka përsëritur akuzat tashmë të njohura ndaj Kyeministrit Edi Rama dhe Qeverisë së tij.

“Kemi një qeveri të lidhur me krimin e organizuar dhe me trafikun e drogës. Kemi një ministër të Brendshëm, vëllai i të cilit është një trafikant ndërkombëtar droge, i dënuar në Itali nga drejtësia italiane, por që, me mbrojtjen dhe me ndihmën e të vëllait ministër të Brendshëm, vazhdon aktivitetin kriminal. Kemi një kryeministër që është kaq i lidhur me krimin sa kalon nga një ministër i Brendshëm, pjesë e një organizate kriminale të trafikut të drogës te një ministër që ka vënë ministrinë, policinë dhe prokurorinë në funksion të mbrojtjes së vetes dhe të vëllait të tij trafikant droge”, ka thënë Basha.

“Në këto kushte, jam i mendimit të përdorim të gjitha format dhe mënyrat demokratike, si opozitë, me grupin parlamentar, strukturat dhe qytetarët për të bërë të qartë qëndrimin tonë të prerë”, ka theksuar ai.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Basha ka ftuar në takim aleatët e opozitës. (r.m.)

Comment

*