Hajdari akuzon për korrupsion, Spiropali i kujton familjen

Debati u zhvillua pasi reforma Zgjedhore ka ngecur për interpretimin e ndryshimeve kushtetuese për lista të hapura deputetësh dhe heqjen e koalicioneve

Knid Ndrenika

Në seancën plenare të Kuvendit deputetja demokrate që nuk dorëzoi mandatin Rudina Hajdari dhe ministrja socialiste Elisa Spiropali debatuan për qëllimet e ndërsjella pro dhe kundër në emër të zgjedhjeve të lira.

Debati u zhvillua pasi reforma Zgjedhore ka ngecur për interpretimin e ndryshimeve kushtetuese për lista të hapura deputetësh dhe heqjen e koalicioneve.

Zonja Hajdari tha se “Kosova ka gruan më të votuar nga populli i saj! Dhe, ne mund t’ia arrijmë! Partia Socialiste bëri një propozim. Nuk ishte hapje e listave. Ishine mbyllje e listave”!

“Koha juaj ka mbaruar!”-shtoi ajo.

Sipas deputetes Hajdari, “te Parlamenti ekziston vetëm diçka, mashtrimi dhe pandershmëria”, andaj pyeti se “si ka mundësi që gjithë këta njerëz përfaqësohen nga ju në Kuvend”?

“Si ka mundësi që ky Parlament vetëm i mashtron këta njerëz? Kjo arriti kulmin kur PS bëri një propozim për hapjen e listave, që në fakt ishte totalisht mbyllje e listave. Por Edi Rama ishte ai vetë që i pa shqiptarët në sy dhe u tha, listat do të hapen 100% dhe ka mbaruar koha kur kryetarët zgjedhin deputetët në kuvend. Ky do të renditet si ndër mashtrimet më të mëdha që është bërë në këto 30 vite”,-tha deputetja Hajdari.

Ajo shtoi se socialistët kanë frikë nga populli, nga vota e qytetarëve sepse “jeta juaj është luksoze, nëpër vila, me orendi të shtrenjta që vetëm ju e dini sesi i përballoni, ndërsa pjesa dërrmuese e shqiptarëve nuk kanë lekë në xhep dhe zvarriten për të kapur në punë”.

Ju shkoni nëpër spitalet e botës, shëndeti juaj është në rregull. Fëmijët tuaj arsimohen në vendet më luksoze në botë, ndërkohë që sot në Shqipëri akoma diskutohet për ngrohje në ambientet shkollore. Si ka mundësi që e bëni këtë? Ju po bëni atë që nuk ia ka bërë njeri kurrë vendit të tij. Dilni para popullit, merrini votën dhe mos u mbroni me listat e kryetarëve”-tha zonja Hajdari.

Ministresha Spiropali ia ktheu se “ne mbajmë përgjegësi për listën tonë” dhe e sfidoi “dil tani në votim dhe shiko sa vota merr”!

“E nderuar Rudina mbaj gojën në Kuvendin e Shqipërisë, vëri frerë vetes. Iu drejtove këtu deputetëve të nderuar të PS, më të shumtë të ulur në sallë, gra. Nuk të kanë asnjë borxh, i fyen dhe broçkullit pa sens. Dakord? Nuk të kemi asnjë borxh. Dhe në rast se ne mbajmë përgjegjësi për listën tonë, mbaj edhe ti përgjegjësi, zonjë e dashur, për të gjithë, edhe për anëtarët e familjes tënde biologjike dhe asaj politike. Dhe nëse do të flasësh këtu për lista, e zgjedhje, ti nuk je e votuar, ke hyrë në kuvend nga lista e PD. Dil tani në votim dhe shiko sa vota merr? Provoje, shko, hyji detit në këmbë dhe ta shohim ku do të dalësh”!-tha zonja Spiropali

Zgjedhjet e përgjithshme mbahen në 25 prill 2021.

Comment

*