Hajdari: Procesi i privatizimit mund të përmbyllet brenda 7 vjetësh

Prishtinë, 22 tetpr 2018 – Ekrem Hajdari, drejtor menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, thotë se mbi 50 për qind e aseteve shoqërore në Kosovë ende nuk janë privatizuar.

“Ky proces tani i stërzgjatur ka filluar në vitin 2002/2003 dhe ka vazhduar qe 15 vite. Nuk është se mund të lavdërohemi se është kryer një punë me ritmin që është paraparë qysh atëherë kur ka hyrë ligji në fuqi. Tani mund të them se gjendemi në gjysmë të rrugës së procesit të privatizimit. Kjo ilustrohet më së miri me të dhënat e privatizimit. Deri më tani janë privatizuar 1607 prona, asete të ndërmarrjeve shoqërore dhe kontratat për të gjitha këto asete janë nënshkruar, ndërsa kanë mbetur pa u privatizuar edhe 2119 asete shoqërore.Ky numër po tregon se edhe gjysma e aseteve shoqërore nuk janë privatizuar”, ka thënë Hajdari, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Hajdari ka thënë se AKP-ja i ka identifikuar edhe disa asete që i vlerëson me rëndësi strategjike, të cilat do të duhej të trajtoheshin me Ligjin për Investime Strategjike.

“Është një numër i aseteve që ne i konsiderojmë astete strategjike. Është një listë kjo e cila i është dorëzuar Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrisë për Investime Strategjike në mënyrë që bashkërisht në koordinim t’i trajtojmë ato asete përmes Ligjit për Investime strategjike. Aty janë “Hotel Grandi”, “Brezovica”, “Minierat e Goleshit”, “Miniera e Strezovcit”, “Boksitet e Kosovës”, “Damperi”, në regjionin e Suharekës, një objekt i madh dhe shumë i përshtatshëm për industri”, ka thënë Hajdari.

“Kemi edhe asete të tjera që mendojmë se janë joshëse për investitorë të ndryshëm, parcela të shumta të tokave bujqësore, tokave industriale, kemi objekte e uzina të ndërtuara kohë më parë, lokale të shumta në mbarë Kosovën të cilët presin privatizimin”, ka shtuar ai.

Hajdari ka thënë se Agjencia ka identifikuar edhe asete që nuk ishin të regjistruara.

“Në vitin e kaluar këto të dhëna kanë qenë të tjera, pasi që AKP ndërkohë ka vazhduar të identifikojë asete të reja të cilat nuk i kemi pasur të regjistruara, dhe rrjedhimisht ky numër i aseteve të pashitura po vazhdon të rritet”, ka thënë ai.

Hajdari ka thënë se vitin e kaluar janë evidentuar 162 asete të Kosovës jashtë vendit.

“Në vitin 2017 kemi themeluar një njësi të të veçantë që merret eksluzivisht me identifikimin dhe mbrojtjen e këtyre pronave që gjenden jashtë Kosovës, nëpër gjykatat e vendeve përkatëse. Sipas të dhënave që posedon AKP, gjithsej jashtë territorit të Kosovës të shpërndara nëpër vende të ish Jugosllavisë janë 162 asete shoqërore. Këto 162 asete i përkasin 38 ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës. Ne kemi bërë kërkesa të duhura pranë autoriteteve për të regjistruar në emër të AKP-së”, është shprehur ai.

Sipas tij, procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore mund të përmbyllet në tërësi një afati prej 5 deri në 7 vjet.

“Ne mendojmë se, nëse të gjitha institucionet funksionojnë si duhet, në një afat real prej 5 deri në 7 vjet do të mund të përmbyllnim procesin e privatizimit në tërësi”, është shprehur drejtori menaxgues i AKP-së, Ekrem Hajdari. (r.m.)

Comment

*