Hajmalia e Maqedonisë

Besnik Imeri

        Këto ditë mblidhen ndrikullat dhe kumbarët për vënien e emrit një të sapolinduri. Shumëkush mendon se është fjala për një fëmijë. Por jo, bëhet fjala për lindjen e një shteti, një shtet që ka 28 vjet që ka lindur, por që ka mbetur pa emër. Sebepi ka qënë dhe është gjitoni që ka hallin e gardhit të baҫës se mos i shtyhet. Por edhe të zotët e shtëpisë nuk duan një emër nga babai, gjyshi dhe stërgjyshi i tyre, por duan emrin e stërgjyshit të komshiut tjetër. Kësaj i thonë nëma se s’ma ke. Kështu është puna me emrin e Maqedonisë. Greku, me ndihmën e mehmurëve të Europës, para rreth një shekulli, grabiti thela të majme nga ato territore që në lashtësi quheshin Epir, Maqedoni dhe Traki, territore që historikisht, që nga antikiteti, nuk kanë qënë banuar asnjëherë nga grekët. Këtyre territoreve të zaptuara ata u vendosën emrat: Epiri grek, Maqedonia greke dhe Trakia greke.

Me të drejtë mund të pyetet: ҫfarë i lidh këto dy shtete me emrin Maqedoni që ka krijuar një sherrnajë njëzetvjeҫare?! Asgjë. Si asgjë? E po asgjë! Thjesht është  një emër që ka pasur një lavdi të madhe, sidomos me Filipin e Dytë, Aleksandrin e Madh dhe me Perseun. Po përse e duan këtë emër? Që të kuptojmë këtë kthehemi prapa në histori. Kjo na kujton osmanllinjtë, që sipas Marin Barletit, kur pushtuan Krujën hapën varrin e Skënderbeut dhe eshtrat e tij i varën në trup si hajmali që të bëheshin të fortë si ai.

Kështu edhe me këta gjitonët tanë. Të dy palët thonë se janë pasardhës të Aleksandrit të Madh dhe e duan diҫka nga fama dhe zulma e tij, pra duan emrin Maqedoni për hajmali. Nikolla Gruevski shpenzoi miliona euro për t’i dhënë Shkupit një origjinë maqedonase. Statuja e Aleksandrit shkëlqente në  qëndër të Shkupit. Por haroi se gjuha që fliste Aleksandri është gjuha që flasin shqiptarët e Maqedonisë dhe kjo ju kthye në bumerang, pasi nuk mendonte se një ditë gjuha e Aleksandrit do të bëhej gjuhë zyrtare në shtetin që ai drejtonte.

-Grekët thonë që Aleksandri ishte grek. Por në antikitet helenët dhe gjithë historianët helenë maqedonasit i quanin barbarë, pra jo grek. Më i qartë në këtë drejtim është Straboni, i cili jo vetëm që i dallon ata nga helenët, por i njëjtëtrajtëson me kaonët dhe amantët deri në Akrekeraune. Atëherë ҫfarë kërkojnë grekët në territoret që nuk kanë qënë të tyre?!

-Sllavo-maqedonasit thonë se Aleksandri është i tyre. Por sllavët (përfshirë edhe fiset bullgare) kur Aleksandri sundoi botën ishin në stepat në zemër të Azisë dhe ndoshta të pushtuar prej tij dhe nga ana tjetër ata erdhën në këto territore si pushtues në kohën e Bizantit. Pra, të dy palët nuk kanë kurfarë lidhje me maqedonasit e lashtë.

Maqedonia u shuajt nga faqja e histories si shtet por ҫuditërisht emri i saj nuk u shuajt dhe mbijetoi për 22 shekuj duke u bërë mollësherri për këta gjitonët tanëtë sotëm. Pas romakëve erdhi Bizanti, pas tij sllavët dhe pas tyre osmanët dhe megjithëse ajo vetë për rreth 15 shekuj popullohej nga sllavët e jugut, ndërkohë që maqedonasit e Filipit dhe Aleksandrit të madh u tretën, por  emri Maqedoni i mbeti, pasi zulma e tyre ishte shumë e madhe.

Ku janë atëhere maqedonasit e lashtë?! Një gjë është e sigurtë, që nuk janë këta që sot pretendojnë të jenë pasardhës të tyre, pasi origjina nga vijnë këta shkon thellë në stepat e Azisë Qëndrore. Maqedonasit e lashtë u asimiluan nga sllavët, ashtu si ilirët e veriut që popullonin derdhjen e Danubit, u asimiluan nga sërbët. Për të qënë më të qartë po bëjmë një paralele. Si do të mendonit ju nëqoftëse bullgarët sot shtetin e tyre nuk do ta quanin Bullgari, por Traki, meqënësë në lashtësi territoret që ata kanë zënë në shekujt V-VII i përkisnin Trakëve të lashtë. Meqënëse këta sllavë këndej kanë zënë territorret e Maqedonisë e quajnë veten maqedonas; atëhere ata sllavë andej (bullgarët) që kanë zënë territoret trake, u takon ta quajnë ta quajnë veten trakas. Po ҫfarë do të bënte Greqia në këtë rast? Ajo do të hidhej përpjetë sikur ta kishte pickuar akrepi, pasi edhe ajo ka zënë territore të banuara në lashtësi nga trakët barbarë!  E shikoni sa të ngatëruara janë gjërat kur hyn në hise të tjetrit dhe për më tëpër do që ti marrësh edhe emrin.

Thuhet se të dy palët, ortodoksët sllavë dhe ortodoksët grekë kanë rënë dakort që të ndajnë edhe emrin e Maqedonisë, ashtu siҫ ndanë territorret e saj; Maqedoni e Sipërme, Maqedoni e Poshtëne, Maqedoni e Veriut, Maqedoni e Jugut. Ndoshta edhe Maqedoni sllave e Maqedoni greke. Sido që të jetë, emri Maqedoni nuk hiqet.

Po shqiptarët do të kujtohet ndonjë nga ju? Si gjithmonë janë pala që humbet. Si nga palët në tratativa, ashtu edhe nga Perëndimi, shikohen me syrin e njerkës dhe si jetimë. Po shqiptarët që popullojnë të ashtuquajtërën ish Republika Jugosllave e Maqedonisë ҫfarë roli kanë, ҫfarë vendi zënë, sa kohë kanë që popullojnë pjesën e territorit të kësaj republike me emrin mollë sherri?!

Shqiptarët banojnë në trojet e tyre në këtë farë Maqedonie që në mugëtirat e kohrave. Ata janë pasardhës të Painove të lashtë, që helenët i quajnë edhe peonë. Paionët heshtëgjatë morën pjesë në Luftën e Trojës si besëtarë të trojanëve dardanë. Ja si e përshkruan Homeri tek Iliada pjesëmarrjen e tyre: peonëve harkëtarë që kishin ardhur që nga larg prej Amidonit dhe lumi i Aksit (Vardari i sotëm) me rrjedhë të gjërë që vadit fushat rotull, u printe Piraku…Patrokli i pari heshtën flakvetuese e vërviti në kiҫ të galesë s’Protesila shpirtmadhit dhe vrau Piraknin që nga Amidoni dhe lumi i Aksit rrjedhagjërë kalorësve me famë Peonas u printe…Likomedi vërviti patërshanën vezulluese dhe vrau Apisonin, birin e Hipasit. Ardhur kishte Hipasidi prej Peonie, visit pjellor e mbas Asteropit ndër gjithë peonët bënte shënjë në luftëra…Akil hyjnori vringëlloi heshtën e u hodh mbi Asterop Pelagonidin për t’i bërë kobin. Ishte Pelagoni i biri i Aksit rrjedhagjërë, e lumi me Peribenë bëri shtrat…ia pret kreshniku biri i Pelagonit: o Akil shpirtmadh, ty fisi im ҫ’të duhet? Jam nga Peonia e largët dhe pjellore, dhe prijës i burrave shtizorë peonas. Fisi im rrjedh nga Aksi kulmagjeri, që është më i bukuri ndër lumenj të botës; ai e bëri Pelagon shtizorin, e prej atij më thanë se linda unë. Tani për luftë shtërngohu o Akil Kreshniku. (Iliada, botimi shqip i vitit 1979 me përkthim të Gjon Shllaku,f,42,287,313, 373).

        Kjo është prejardhja e shqiptarëve të Maqedonisë, zulma e tyre është ndjerë deri në Luftën e Trojës. Por kur në këto troje luzmonin paionët, sllavët nuk ishin jo vetëm në Ballkan, por as në Europë. Atëhere edhe helenët nuk dihet se ku ishin, pasi trojanët nuk u ndeshën me helenët, por ashtu siҫ i quan Homeri, me Argejt (banorët e Argosit pellazgjik), Akejtë dhe Danajtë. Pra të zotët e vendit me emrin Maqedoni, për të cilin po grinden gjitonët tanë, kanë qënë në jetë të jetëve shqiptarët.

Cili do të ishte emri i saktë i këtij shteti hibrid?  Mendoj se në emrin e tij duhet të përfaqësohen me domosdo shqiptarët. Cdo emër tjetër do të jetë i gënjeshtërt dhe jetëshkurtër, pavarësisht faktit në se politikanët shqiptarë të Maqedonisë do ta pranonin ose jo atë. Meqënëse shqiptarët në Maqedoni nuk janë minoritet, por element shtetformues, atëhere duhet ndryshuar kushtetuta duke e kthyer atë në një shtet federal. Në këtë rast emri më i përshtatshëm do të ishte Republika Federale Sllavo-Shqiptare. Ta lenë rehat emrin Maqedoni. Ajo i takonte Aleksandrit të Madh dhe le të mbetet në histori bashkë me të.

(Besnik Imeri 21 janar 2018)

 

One Response to “Hajmalia e Maqedonisë”

Read below or add a comment...

  1. Goni Panariti says:

    Shpjegim i drejte historik dhe emri Republika Federale Sllavo-Shqiptare i shuan sherret. Mirepo ky emer nuk ua mbush mendjen atyre qe jane ushqyer me endrra shovoniste: Sllavet qe duan ta quajne krejt sllave dhe greket qe duan ta quajne si toke greke qe nga lashtesia. As diplomacia europiane nuk na degjon e nuk na perkrah ne shqiptareve sepse jemi te percare dhe nuk luftojme se bashku me nje stategji te perbashket.

Comment

*