Haliti: Kryesia e Kuvendit mund ta bllokojë nismën për zhbërjen e Speciales

Prishtinë, 20 janar 2018 – Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se Kryesia e Kuvendit ka kompetencë ta bllokojë nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, në mënyrën se si është tentuar të bëhet kjo.

Zyrtari i PDK-së, duke e komentuar kërkesën e disa deputetëve për procedimin e Projektligjit për shfuqizimin e Ligjit nr.05/L-053, Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ka thënë se, nga pikëpamja procedurale, kërkesa ka të bëjë me një dispozitë kushtetuese.

Sipas Halitit, shfuqizimi i një dispozite kushtetuese është e pamundur të realizohet në formën dhe mënyrën si ka kërkuar grupi i deputetëve që e kanë nënshkruar kërkesën.

“Ndryshimi ose shfuqizimi i kësaj dispozite kushtetuese (neni 162 i Kushtetutes), nga pikëpamja procedurale, mund të realizohet vetëm me ‘Iniciativën për ndryshimin e Kushtetutës’, dhe jo në formën dhe mënyrën siç është kërkuar. Është parim i së drejtës ndërkombëtare forma dhe mënyra se si mund të ndryshohet kushtetuta apo dispozitat e veçanta të saj”, ka thënë Haliti.

Ai ka thënë se Kryesia do të përbënte shkelje të rëndë të Kushtetutës, nëse do ta lejonte shqyrtimin e iniciativës ligjore të deputetëve nënshkrues të kësaj kërkese.

“Kjo iniciativë duhet të refuzohet nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës dhe çështja nuk mund të shkojë më tej. Kjo dispozitë kushtetuese i jep të drejtë Kryesisë që ta bllokojë iniciativën e deputetëve apo edhe të Qeverisë, në mënyrë fare të thjeshtë, proceduralisht, duke mos e futur fare në shqyrtim”, ka sqaruar Haliti.

Kryesia e Kuvendit edhe të mërkurën, për herë të tretë, ka dështuar të mblidhet për shkak të mungesës së kuorumit. Në këtë mbledhje ishte paraparë edhe shqyrtimi i kërkesës së grupit të deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Specialen. (r.m.)

Comment

*