Prishtinë, 20 mars 2017 – Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili është anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të kosovës (PDK), konsideron se kërkesa e drejtuesve të LDK-së për zbardhjen e vrasjeve të aktivistëve të saj pas luftës është e drejtëj, por nuk duhet të përdoret për fushatë elektorale.
Haliti, në një prononcim për Gazetën “Blic”, i ka numëruar katër teza lidhur me zbardhjen e vrasjeve politike që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë.
“Së pari, ne kemi ndërtuar institucione të specializuara në të gjitha fushat; Së dyti, Ministrinë e Brendshme e drejton LDK-ja; Së treti, Prokuroria është krejtësisht e pavarur për të vepruar për çështjet në fjalë; Së katërti, mendoj që është e domosdoshme që këto vrasje të zbulohen, por jo të përdorën për fushta elektorale, por organet e specializuara të veprojnë me intensitetin më të madh të mundshëm, duke mos e kursyer askënd që të zbulohet çdo vrasje që ka ndodhur në Kosovë dhe çdo krim që është kryer në Kosovë“, ka thënë Haliti.
Zyrtari i lartë i PDK-së ka thënë gjithadhtu se përveç vrasjeve politike duhet të zbardhen edhe rastet e vrasjes së gazetarëve.
“Unë nuk e di në çfarë konteksti e kanë thënë ata, por unë mendoj që duhet të zbardhen. Ata, njerëzit e LDK-së, si parti, kanë kërkuar çdoherë që të zbardhen dhe është e drejtë e tyre. Unë mendoj që duhet të zbardhen edhe vrasjet e gazetarëve, të qytetarëve dhe të gjitha vrasjet që kanë ndodhur këtu, përfshirë edhe krimet e serbisë“, ka thënë ai.
Zbardhja e vrasjeve politike ishte kërkuar me kembëngulje nga kryetari Isa Mustafa dhe nga drejtuesit tjerë të LDK-së, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e vitit 2014.
Por, pas ardhjes në pushtet, këto kërkesa janë heshtur nga krerët e partisë, të cilët hynë në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës. Të cilën tani e udhëheq Kadri Veseli, ish –shefi i organizatës sekrete ilegale, Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), i cili është denoncuar publikisht lidhur me vrasjet e aktivistëve të LDK-së pas vitit 1999.
Veseli dhe eksponentë të tjerë të PDK-së i kanë hedhur poshtë këto denoncime. (r.m.)