Hamiti: Çfarëdo kompromisi i ri e rrezikon substancën e shtetit të Kosovës

Prishtinë, 2 korrik 2018 – Muhamet Hamiti, ish-këshilltar për medie e ish-zëdhënës i ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe ish-këshilltar politik i ish-Presidentit, Fatmir Sejdiu, ka shprehur frikën se në fazën finale të Dialogut të Brukselit mund të bëhen kompromise të tjera të dhimbshme për Kosovën.

Në një postim në Facebook, me rastin e 28 vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, të 2 korrikut të vitit 1990, Hamiti tërheq vërejtjen se Kosova ka bërë kompromise të dhimshme gjatë procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës, në Vjenë, në vitin 2008.

Hamiti, i cili ka qenë ambasador i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar,  thekson se çfarëdo kompromisi përtej Planit të Ahtisarit “e rrezikon substancën e Kosovës së pavarur, vetë funksionalitetin e shtetit të ri, me rëndësi jetike për popullin shqiptar dhe për paqen e stabilitetin në Evropën Juglindore”.

Hamiti, si profesor në degën e Anglishtes të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, vëren se fjala “compromise”, në përdorime të ndryshme në gjuhën e angleze, i ka dy kuptime: kuptimin e kkompromisit dhe kuptimin e komprometimit.

Postimi i plotë i Hamitit:

Kompromisi dhe komprometimi

Në 28 -vjetorin e Deklaratës Kushtetuese që bëri Kuvendi i Kosovës më 2 korrik 1990, droja është e madhe që kompromisi i synuar si rezultat final i dialogut politik e diplomatik Kosovë-Serbi në Bruksel, mbas kompromiseve të dhimbshme që ka bërë Kosova në procesin e Ahtisarit/Vjenës para pavarësisë së shpallur më 2008, e komprometon vetë idenë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

Pavarësia e vendit, me garanca të fuqishme kushtetuese për serbët dhe pakicat e tjera kombëtare, ka qenë dhe mbetet zgjidhja e kompromisit. Çfarëdo tëhollimi (zbutje) i mëtejmë i kësaj pavarësie dhe i sovranitetit të vendit në emër të kompromisit të ri e rrezikon substancën e Kosovës së pavarur, vetë funksionalitetin e shtetit të ri, me rëndësi jetike për popullin shqiptar dhe për paqen e stabilitetin në Evropën Juglindore.

(Shënim: në anglisht fjala ‘compromise’, si emër e si folje, në përdorime të ndryshme, ka kuptime të ‘kompromisit’ dhe të ‘komprometimit’.)

(r.m.)

Comment

*