Hamiti i vlerëson të rrezikshme deklaratat për “bashkim të Kosovës me Shqipërinë”

Prishtinë, 1 shkurt 2021 – Muhamet Hamiti, profesor universitar dhe shkrimtar, i vlerëson të rrezikshme deklaratat për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, të bëra në kuadër të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt.

Ai, në një postim në Facebook, ka thënë se ata që bëjnë deklarata të tilla, për efekte elektorale, nuk janë të vetëdijshëm se kështu “lëkundin themelet e shtetit të pavarur të Kosovës”.

Hamiti, i cili ka qenë këshilltar dhe zëdhënës i Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ka kujtuar se “protagonistët kryesorë politikë shqiptarë të Kosovës, të prirë nga Presidenti Rugova, nuk janë lëkundur kurrë nga ky projekt i shtetit të pavarur të Kosovës”.

Ky reagim i zotit Hamiti vjen pas deklaratave të përsëritura të Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, se populli i Kosovës duhet të deklarohet me referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Postimi i plotë i Muahamet Hamitit:

A janë të vetëdijshëm këta që – për oportunizëm, në stinë elektorale – po flasin për bashkim të Kosovës me Shqipërinë se po duan t’i lëkundin themelet e shtetit të pavarur të Kosovës tash, gati 13 vjet mbas shpalljes së pavarësisë dhe të njohjes ndërkombëtare nga më shumë se 100 shtete?

As populli i Kosovës as protagonistët kryesorë politikë shqiptarë të Kosovës, të prirë nga Presidenti Rugova, nuk janë lëkundur kurrë nga ky projekt i shtetit të pavarur të Kosovës – që atëherë ishte ideal e tash është realitet – as në kohën e luftës gjenocidale të Serbisë kundër shqiptarëve e Kosovës.

Populli i Kosovës, shtetasit e vendit tonë, e kanë rastin që më 14 shkurt ta konfirmojnë dashurinë për Republikën tonë duke ndëshkuar me votë këta oportunistë të paskrupullt.

(r.m.)

Comment

*