Hamza: FMN ka të drejtë kur thotë se Kosova s’ka stabilitet financiar

Prishtinë, 15 nëntor 2018 – Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka të drejtë kur thotë se Kosova s’ka stabilitet financiar.

“FMN ka të drejtë kur thotë që s’kemi stabilitet financiar. Pajtohem çdo herë me rekomandimet e tyre”, ka thënë Hamza për T7.

Ai ka thënë se Kosova duhet të ketë kujdes me shpenzimet e luksit dhe me shpenzimet për skema sociale.

“Nuk mund të shpenzohen miliona euro në paga, mëditje e gjëra të tjera. Po ashtu, nuk duhet të shkojnë miliona euro të buxhetit në skema sociale. Buxheti duhet të jetë më shumë për investime”, ka thënë ai.

Hamza ka treguar se ka shumë kërkesa që nuk mund të plotësohen me buxhetin e Kosovës, por ka theksuar se nuk do të refuzohet asnjë kërkesë që ka të bëjë me ushtrinë.

“Çdo kërkesë që është bërë deri tash është miratuar. Paratë e buxhetit nuk do të kursehen për Ushtrinë e Kosovës. Çdo gjë që duhet për këtë çështje do të plotësohet”, ka thënë Hamza.

Ai ka treguar se me paratë e buxhetit do të blihen pajisjet e nevojshme për ushtrinë.

“Ajo çka është e nevojshme do të mbulohet. Normalisht, aq sa ka kapacitete buxheti”, ka thënë Hamza. (r.m.)

Comment

*