Hamza: Nuk do të ketë tatime dhe ngarkesa të reja për bizneset

Prishtinë, 19 shtator 2017 – Ministri i Financave, Bedri Hamza, i ka siguruar bizneset se nuk do të ngarkohen me taksa fiskale për mbushjen e buxhetit të shtetit.

Ministri Hamza e ka bërë këtë zotim jatë një takimi me drejtues të Odave Ekonomike të Kosovës, ku është diskutuar për mundësitë e përmirësimit të ambientit të të bërit biznes në Kosovë.

“Edhe në planin e punës të Qeverisë dhe Ministrisë së Financave, fokusi kryesor i është dhënë mbështetjes dhe përkrahjes së sektorit privat, sepse jemi të sigurt se sektori privat do të jetë bartësi kryesor i rritjes ekonomike dhe i krijimit të vendeve të punës të qëndrueshme. Gjatë këtij mandati, në programin tonë qeverisës, nuk kemi paraparë t’i ngremë normat tatimore, nuk kemi paraparë të vendosim tatime dhe ngarkesa të reja për bizneset. Fokusi ynë është që ne, si Ministri e Financave, të mbesim të përkushtuar në hartimin e politikave tatimore që kanë për qëllim mbështetjen e prodhimit vendor”, ka thënë ministri Hamza.

Ai ka thënë se çdo investitor i huaj është i mirëpritur dhe i nevojshëm në Kosovë, mirëpo,  mbi të gjitha, Qeveria do të jetë e kujdesshme për ndërmarrjet vendore.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka ngritur shqetësimin për rritjen e pagave në sektorin publik, sië është paralajmëruar nga ministri Hamza. Ai ka thëë se kjo rritje do ta thellojë edhe më shumë hendekun financiar për sektorin privat.

Zeka ka theksuar se rritja pagave duhet të bëhet në bazë të rritjes ekonomike.

“Ne besojmë se një vendim i tillë do të rriste edhe më tej hendekun e pagesave të punonjësve në sektorin privat dhe do ta bënte sektorin publik edhe më atraktiv për fuqinë punëtore të Kosovës, do ta lente sektorin privat me mungesë të punonjësve. Andaj, ne besojmë se një vendim i tillë duhet menduar mirë dhe duhet të jetë në përputhje me normën e zhvillimit ekonomik të vendit “, ka thënë Zeka.

Drejtori ekzekutiv i Odës së Afarizmit të Kosovës, Ismet Mulaj, ka thënë se pakoja fiskale nuk është ende e plotë, prandaj Qeveria e re duhet të punojë për krijimin e një barazie në treg.

Ai ka thënë se sfidë është se Kosova nuk ka arritur ende të krijojë një ofertë për investimet në Kosovë.

Mulaj ka shrtuar se bizneset e Kosovës po hasin në barriera tregtare, të cilat po i aplikojnë shtetet e rajonit. Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës funksionalizimin e parqeve të bizneseve.

Nora Hasani nga Oda Ekonomike Gjermane, ka thënë se është me rëndësi të fillojë implementimi i Pakos fiskale 2.0, e cila nuk duhet të shihet diçka si politike.

Astrit Shabani, nga Klubi i Prodhuesve, ka kërkuar nga ministri Hamza informacion se çka mund të presin prodhuesit kosovarë nga puna e Ministrisë për Financa.

Arben Fetahu, nga Oda Ekonomike Turke, ka thënë se klima politike në muajt e fundit ka pasur ndikime negative në ekpnominë e Kosovës. Sipas tij, këto gjithsesi se duhet angazhim për tejkalim. (r.m.)

Comment

*