Hamza: Pagat e punëtorëve të sektorit publik do të rriten në janar

Prishtinë, 30 shtator 2017 – Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se pagat e punëtorëve të sektorit publik do të rriten nga viti i ardhshëm.

“Do të ketë rritje të pagave. Rritja e pagave do të jetë në përputhje me rritjen ekonomike, me mundësitë reale buxhetore dhe gjithmonë duke e respektuar edhe legjislacionin në fuqi”, ka thënë Hamza, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Hamza nuk ka saktësuar se çfarë rritje planifikohet për punëtorët e sektorit publik. Ai ka thënë se kjo varet nga rritja ekonomike nominale.

“Ne jemi duke shikuar të gjitha mundësitë, jemi duke parë cila është rritja ekonomike nominale, sepse është meritore ajo çka thotë Agjencia e Statistikave të Kosovës, cilat janë mundësitë reale buxhetore, gjithë infrastrukturën ligjore. Por, do të ketë rritje të pagave, por rritje të pranueshme dhe rritje reale që të mos e rrezikojmë stabilitetin makrofiskal”, ka thënë ai.

I pyetur lidhur me parashikimet e rritjes ekonomike gjatë vitit të ardhshëm, ministri Hamza ka thënë se kjo rritje parashikohet të jetë rreth 4 për qind.

“Rritja ekonomike viteve të fundit ka shkuar në mesatare rreth 3.5 për qind. Ne kemi parashikimet dhe kemi skenarin bazë, që është skenari i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, që vitet e ardhshme, sipas parashikimeve (për rritjen ekonomike) sillet diku rreth 4 për qind”, ka thënë ai.

Por, ai ka theksuar se Qeveria ka një plan më ambicioz, sipas të cilit rritja mund të jetë edhe me e lartë se 5 për qind.

“Ne kemi një plan ekonomik që është goxha ambicioz, që është i bazuar, dhe presim që, në supozime të qëndrueshme, nëse ndodhin ngjarje të caktuara, rritja ekonomike në Kosovë kalon 5 për qindëshin dhe kah fundi i mandatit të kësaj Qeverie ndoshta të arrijë më shumë se 6 për qind”, ka thënë Hamza.

“E them këtë, sepse përveç të hyrave, pra skenarit bazë, përmes të hyrave të rregullta në buxhetin e Kosovës, ne kemi një numër të caktuar të marrëveshjeve financiare që janë të ratifikuara. Unë pres që ato të ekzekutohen dhe ta prodhojnë efektin e vet”, ka shpjeguar ai.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e interesuar të ndërmarrë masa për përmirësimin e ambientit të biznesit dhe rritja ekonomike të bartet te sektori privat, i cili duhet të jetë bartës i rritjes ekonomike dhe gjenerues i vendeve të reja të punës.

(r.m.)

Comment

*