Hamza: Qasja në financa, sfida kryesore e sektorit privat në Kosovë

Vjenë, 4 korrik 2018 – Ministri i Financave i Republikës së Kosovës Bedri Hamza, ka marrë pjesë në samitin e ministrave të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili u mbajt në Vjenë.

Në fjalën e tij, Hamza ka folur për hapat që i ka marrë Qeveria e Kosovës për të ruajtur stabilitetin makro-fiskal dhe financiar dhe për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes, të cilat me renditjen e Kosovës në mesin e vendeve më reformatore në Raportin e të Bërit Biznes të Bankës Botërore.

Hamza kafolur edhe për sfidat kryesore me të cilat po ballafaqohet sektori privat. Në krye të këtyre sfidave ai e ka renditur mungesën e qasjes së këtij sektyori në institucionet financiare ndërkombëtare që ofrojnë mbështetje dhe produkte financiare për të cilat kanë nevojë bizneset në Kosovë.

Gjatë diskutimit lidhur me zhvillimet në fushën e ekonomisë digjitale, ministri Hamza ka folur për hapat që kanë ndërmarrë institucionet e Kosovës për t’i mbështetur të gjitha nismat që janë në favor të shgtrirjes së veprimtarive ekonomike digjitale në Kosovë.

Pjesëmarrësit janë pajtuar për progresin e arritur në zbatimin e planit afatgjatë të veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale, në fushën e tregtisë, investimeve, mobilitetit dhe integrimit digjital.

Në këtë samit, i cili është organizuar nga Britania e Madhe dhe Austria, kanë marrë pjesë ministrat e fushave ekonomike të vendeve të rajonit dhe të disa vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe komisioneri evropian Johannes Hahn.

Ky samit është mbajtur në kuadrin e Procesit të Berlinit, për të diskutuar zhvillimet ekonomike të vendeve të rajonit, me qëllim të bashkëpunimit dhe të lehtësimit në qasjen në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Ky samit i paraprin samitit të kryeministrave të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet javën e ardhshme në Londër. (r.m.)

Comment

*