Haradinaj: Besojmë në pafajësinë e Thaçit dhe Veselit

Prishtinë, 24 qershor 2020 – Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të pastër, e cila ka rezultuar më vonë me pavarësinë e Kosovës dhe se beson në pafajësinë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe bashkëluftëtarëve tjerë.

“Populli shqiptar i Kosovës me të drejtë zhvilloi luftë për liri, pas shtypjes së egër nga regjimet e ndryshme serbe, që zgjati pothuajse një shekull, duke kulmuar me regjimin e Millosheviqit”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Reagimi i Haradinajt, vetë ish-pjesëtar i UÇK-së, ka ardhur pas njoftimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, se të mërkurën se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

(r.m.)

Comment

*