Haradinaj: Bill Clinton njeriu më i dashur për popullin e Kosovës

Prishtinë, 11 qershor 2019 – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në zyrën e tij, ish-presidentin e SHBA-së, Bill Clinton, të cilin e ka falënderuar për kontributin amerikan që Kosova të fitojë luftën me Serbinë.

Haradinaj ka thëntë se falë vendosmërisë së presidentit Clinton u jetësua ëndrra e shqiptarëve të Kosovës për të jetuar të lirë dhe në demokraci.

“Ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen! Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe tek populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur, President Bill Clinton. Falë vendosshmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj, ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai ka thënë se hyrja e trupave të NATO-së në Kosovë ka qenë një kthesë historike që rezultoi me realizimin e ëndrrës së shqiptarëve të Kosovës për të krijuar shtetin e tyre.

“Falë kësaj kthese historike, fëmijët tanë sot jetojnë të lirë. Të lirë për të pasur jetë, për të pasur ëndrra, për të pasur shtetin e tyre, Kosovën! President Clinton, faleminderit dhe përjetë mirënjohës për ju dhe popullin Tuaj”, ka përfunduar Haradinaj.

“Zoti e bekoftë Amerikën!

Zoti e bekoftë Kosovën!”, ka uruar Haradinaj.

Para takimit me Haradinajn, ish Presidenti Clinton ka pasur një takim me presidentin Thaçi, i cili ia ka dorëzuar dekoratën “Urdhri i Lirisë”.

Clinton ka bërë edhe një shetitje të shkurtër në qytetin e Prishtinës, ku është përshëndetur ngrohtësisht nga qytetarë të shumtë, të cilët e kanë falënderuar për ndihmën që ka dhënë për Kosovën dhe popullin e saj. (r.m.)

Comment

*