Haradinaj: Do të jem në shërbim të shtetit dhe të qytetarëve

Prishtinë, 10 shtator 2017 – Kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës, Ramush Haradinaj, është zotuar se do të jetë “në shërbim” të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.

“Zotohem para jush, qytetarë të dashur, se do të jem në shërbimin tuaj e të shtetit, dhe do të punoj me krejt qenien time për mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë kosovare”, shkruan Haradinaj, në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

“Qeveria që do ta drejtoj, do të jetë qeveri e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, besimi, përkatësie politike apo ideologjie, dhe do të jetë më e gatshme se asnjëherë më parë që të bashkëpunoj ngushtë me opozitën parlamentare, shoqërinë civile dhe median”, shkruan më tutje Haradinaj.

Ai falënderon deputetët e Kuvendit të Kosovës që ia dhanë besimin për drejtimin e qeverisë, si edhe ata që shprehën mosbesim, duke theksuar se “ky është thelbi i demokracisë”.

 

Postimi i plotë i Haradinajt:

 

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Dje mora besimin për të udhëhequr Qeverinë e vendit në mandatin katërvjeçar.

I falëndëroj të gjithë ata që më besuan, por edhe ata që votuan kundër, sepse ky është thelbi i demokracisë.

Zotohem para jush qytetarë të dashur, se do të jem në shërbimin tuaj e të shtetit, dhe do të punoj me krejt qenien time për mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë kosovare.

Qeveria që do ta drejtoj, do të jetë qeveri e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, besimi, përkatësie politike apo ideologjie, dhe do të jetë më e gatshme se asnjëherë më parë që të bashkëpunojë ngusht më opozitën parlamentare, shoqërinë civile dhe median.

Menjëherë pas marrjes së besimit për ta udhëhequr Qeverinë e vendit, kam pranuar mijëra urime nga qytetarë, simpatizantë të AAK-së e të partive të tjera, nga diplomatë e përfaqësues shtetesh, nga të cilët ndër të parët ishin, Kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta, dhe Senatori Eliot Engel!

Një falënderim i përzemërt për të gjithë ata!

Nisja e re për Kosovën bëhet, vetëm duke qenë të bashkuar, e me besim në njëri tjetrin!

RH

(r.m.)

Comment

*