Haradinaj e quan joserioze idenë e Beogradit për ndarjen e Kosovës

Uashington, 8 shkurt 2018 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar joserioze idenë e Beogradit për ndarjen e Kosovës.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Haradinaj ka thënë se kufijtë aktualë në Ballkan janë rezultat i luftërave dhe lëvizja e tyre mund të shkaktojë luftëra e tragjedi të reja në rajon.

“Është një mllef i Beogradit dhe e lëshojnë këtë për të nxjerrë diçka tjetër. Nuk besoj që kjo është serioze dhe nuk i merr kush seriozisht, për shkak se të gjithë e dijnë që në Ballkan kufijtë janë vendosur si rezultat i luftërave dhe prekja e kufijve mund të sjellë tragjedi dhe luftëra tjera”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se beogradi e ka lansuar këtë ide për të përfituar diçka tjetër.

“Nuk besojmë që dikush me vetëdije normale ka hapur tema të tilla, por e shoh si një trysni të parë, që të nxirret diçka tjetër”, ka thënë ai.

Haradinaj nuk ka shpjeguar se çka është ajo “diçka tjetër”, por ka theksuar se epilogu i vetëm i dialogut mes Serbisë e Kosovës mund të jetë një marrëveshje që ndalon armiqësitë e vjetra dhe shpie në normalizimin e marrrëdhënieve midis dy vendeve.

“E vetmja gjë që mund të nxirret nga një marrëveshja Kosovë-Serbi, pra është fjala që të ndalen armiqësitë nga e shkuara, jo të harrohen por të falen, dhe Kosova është e gatshme të kalojë në një etapë tjetër, pra në normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, është shprehur Haradinaj.

Një ditë më parë, po në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka hedhur poshtë synimet e beogradit për ndarjen e Kosovës. (r.m.)

Comment

*