Haradinaj e Rama zotohen për heqjen e taksave e roamingut dhe për unifikimin e doganave

Prishtinë, 26 nëntor 2018 – Kosova dhe Shqipëria janë pajtuar që brenda gjashtë muajve të unifikojnë doganat, të heqin tarifën e roamingut në kuadër të telekomunikimt si dhe të heqin tarifat doganore.

Këto ishin vetëm disa nga vendimet që u konfirmuan me nënshkrimin e nëntë marrëveshjeve dhe protokolleve midis dikastërëve përkatës të qeverive të të dy vendeve, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, të mbajtur sot në Pejë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thanë se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve është më se i domosdoshëm.

Haradinaj tha se qytetarët në Kosovë e Shqipëri presin edhe më shumë nga të dy qeveritë, por këtë nënshkrim marrëveshjesh ai tha se e sheh si fillim të konkretizimit të prioriteteve të kahershme nga të dyja palët.

“Ajo që e shquan Kosovën është rreshtimi me SHBA-në si një faktor prijës global dhe me aleatët tanë strategjik. Shqipëria çdo herë ka mund të llogaritë në Kosovën dhe çdo herë ka të drejtë të llogaritë në Kosovën, por edhe Kosova çdo herë ka llogaritë në Shqipërinë dhe kjo është dëshmuar edhe në vitin 1999, në ditët më të vështira të jetës sonë si komb”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, Rama tha se vendosja e taksës doganore në shifrën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës ishte reagim ndaj padrejtësive që i bëhen Kosovës, shpeshherë edhe me mbështetjen e vendeve të ndryshme evropiane.

Derisa i dha mbështetje vendosjes së tarifës 100 për qind për produktet e Serbisë, Rama tha se Kosova dhe Shqipëria do të kenë tarifa zero si dhe unifikim të plotë të doganave, brenda një kohe të shkurtër.

“Sot është koha për të vënë tarifa 100 për qind në veri dhe për të pasur tarifa zero në jug të Kosovës. Së dyti, duhet të shkojmë drejt bashkimit doganor, transit më 1 janar në Portin e Durrësit për Kosovën dhe hapat e tjerë brenda gjashtë mujorit të ardhshëm drejt bashkimit doganor. Kush e konsideron këtë si kërcënim, qoftë në Beograd apo Bruksel është i mirëpritur të vij, të ulet në tavolinë e t’ia shpjegojmë se nuk është kërcënim por është një ftesë që të gjithë të tjerët të marrin shembull nga ky bashkëpunim dhe Serbia e para të ndjek shembullin e këtij bashkëpunimi”, tha ai.

Rama kërkoi që Prishtina dhe Tirana të krijojnë një fond të përbashkët për funksionimin e politikës së jashtme, e cila do të ndihmonte integrimin e dy shteteve në Bashkimin Evropian, deri në vitin 2025.

Ky është takimi i pestë i përbashkët i qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë. Herën e parë ato mbajtën takim të përbashkët në Prizren, në vitin 2014, ndërsa takimi i dytë u mbajt një vit më pas, në Tiranë. Takimi i tretë u mbajt në Prishtinë, në vitin 2016, kurse takimi i fundit u mbajt vitin e kaluar në Korçë.

Në katër mbledhjet e përbashkëta të qeverive të të dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë, janë nënshkruar shumë marrëveshje bashkëpunimi, të cilat kanë pasur për qëllim krijimin e kushteteve për zhvillim të shpejtuar ekonomik midis dy vendeve.

Por, dy qeveritë janë kritikuar nga bizneset dhe nga ekspertë të ekonomisë se marrëveshjet e nënshkruara kanë mbetur në letër dhe nuk kanë dhënë pothuaj kurrfarë rezultatesh. (r.m.)

Comment

*