Haradinaj e vlerëson mbështetjen e Bullgarisë

Sofje (Bullgari), 18 maj 2018 – “Mbështetja e Bullgarisë për rrugën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës, procesin e liberalizimit të vizave dhe rritjen e numrit të njohjeve është e rëndësishme dhe jetike për vendin tonë”.

Kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj në takim bilateral me Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, që u zhvillua në  Sofje të Bullgarisë.

Haradinaj falënderoi kryeministrin e Bullgarisë për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës që nga marrja e kryesimit të presidencës së BE-së, veçanërisht fuqizimin e rolit të Kosovës në takimet e përbashkëta BE-Ballkani Perëndimor.

“Bullgaria është vend mik i Kosovës dhe mbështetës i proceseve politike, andaj kërkojmë mbështetjen e saj dhe vazhdimin e bashkëpunimit edhe në fushën ekonomike e cila është e domosdoshme për Kosovën dhe qytetarët e saj”, tha ai.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në takimin e Forumit Ekonomik të Vjenës, duke thënë se Kosova edhe më tutje do ta ketë mbështetjen e Bullgarisë.

Ai tha se ky takim është mundësi e mirë për vlerësimin dhe mundësinë e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare ndërmjet të dyja vendeve, njofton zyra e Kryeministrit të Kosovës. (r.m.)

Comment

*