Haradinaj: Hoti nuk e ka përkrahjen time për dialog pa qartësi

Prishtinë, 22 korrik 2020 – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur qëndrim kritik ndaj dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Haradinaj ka thënë se është kundër vazhdimit të dialogut pa kornizë kohore, pa qartësi dhe pa perfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai tha se shqetësimet e tij ua ka shprehur kryeministrit Avdullah Hoti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

“Kam shprehur mendimin tim para kryeministrit Hoti dhe Mustafës, se i kam dy shqetësime për dialogun. I pari ka të bëjë me aspektin kohor, pra me dinamikën kohore. Unë kam dhënë përkrahje për parimet –  integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit, mbrojtjen e kushtetutshmërinë – dhe mendoj se janë parime të qëndrueshme. Por, ajo që më shqetëson është që Kosova të pranojë edhe një herë një proces çfarë e kemi pasur dikur, politiko-teknik”, ka thënë Haradinaj më emisionin “Rubikon“ të televizionit Klan Kosova.

“Pra, unë jam kategorikisht kundërqë Kosova të vazhdojë dialogun pa kornizë kohore, pa qartësi. Unë i kam shprehur mendimet e mia. Hoti duhet të bëjë kujdes, mos ta humbim mundësinë e një dialogu të udhëhequr nga Amerika, (…) të mos dorëzohet dialogu tek (Joseph) Borrelli dhe (Miroslav) Lajcaku, të cilët kanë kohë, sepse Evropës nuk i ngutet”, ka shtuar ai.

“Ne nuk jemi kundër rolit të BE-së në dialog, por dinamika kohore e BE-së është tepër e disfavorshme për ne, vetëm ia lehtëson Serbisë hapjen e kapitujve për të shkuar drejt BE-së, ne na mban ashtu siç na ka mbajtur deri tani. As liberalizimin e vizave nuk na e ka dhënë”, ka shpjeguar Haradinaj.

“Hoti dhe Mustafa duhet ta bëjnë një hap prapa në obligimet që i kanë marrë si të tilla. Nuk mund të vazhdojnë me një agjendë pa kornizë kohore, pa qëllime konkrete”, ka theksuar ai.

Haradinaj ka bërë të qartë se Kryeministri Hoti, i cili e ka mandatin ta përfaqësojë Kosovën në dialog, nuk do ta ketë përkrahjen e tij, për një dialog të tillë, të cilin ai e ka quajtur “gjysmë-politik e gjysmë-teknik“.

“Unë nuk shoh arsye pse kryeministri Hoti duhet të kujtojë që e ka përkrahjen e Kosovës për një proces të tillë. Përkrahjen time nuk e ka. Unë jam anëtar i koalicionit (qeverisës), por nuk e ka përkrahjen për një proces të tillë, të stërzgjatur, për kthim në procese gjysmë-politike, gjysmë-teknike. Për pallavra të tilla ai nuk e ka përkrahjen time”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i AAK-së e ka kritikuar qëndrimin e LDK-së ndaj dialogut. Sipas tij, lidhur me këtë gtemë, LDK-ja po e ndjek shembullin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“LDK është duke bërë diçka që e bënte edhe zotëri Thaçi, po e merr dialogun duke besuar se është një pasuri e caktuar politike (…). Është  gabim total, Thaçi ia ka humbur disa vite Kosovës dhe shiheni si kemi mbetur tani“, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se ai nuk është konsultuar fare lidhur me emërimin e Skender Hysenit  koordinator shtetëror për dialogun. Ai e ka cilësuar këtë emërim si përpjekje për “përvetësimin“ e dialogut dhe ka lënë të kuptohet se rrugët e tyre mund të ndahen, nëse Hoti e Mustafa vazhdojnë të veprojnë në këtë mënyrë.

“… nëse e përvetësojnë dialogun dhe dëshirojnë të bëhen një ‘klub’ i ngushtë për këtë temë, në rregull. Puna e mbarë! Por, le të mbajnë përgjegjësi”, është shprehur Haradinaj.

Kryetari i AAK-së e ka cilësuar të pashmangshme përfshirjen e Partisë Demokratike të Kosovës në koalicionin qeverisës aktual. Sipas tij, këtë e bën të tillë zgjedhja e Presidentit të Kosovës.

“Mendoj që është e pashmangshme. Zgjedhja e presidentit është e pamundur të bëhet të bëhet pa kuorum“, është shprehur Ramush Haradinaj. (r.m.)

Comment

*