Haradinaj i akuzon Mogherinin e Hahnin për deklaratat rreth korrigjimit të kufijve

Prishtinë, 15 prill 2019 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë ndoshta do të mund të arrihej tashmë, sikur të mos hapej tema e ndryshimit të kufijve mes dy vendeve.

Dhe për këtë, ai i ka akuzuar përfaqësuesen e BE-së Federica Mogherini dhe komisionarin evropian për Zgjerim Johaness Hahn.

“Është vazhdim i gabimit që po bën BE, që ka bërë Mogherini dhe komisionari Hahn, ata ia kanë humbur një vit BE-së dhe Ballkanit. Sikur të mos kishin folur për kufij e për territore ndoshta do ta kishim një marrëveshje. Një deklaratë që e lë të hapur mundësinë e bisedimit të territorit dhe kufijve është vazhdim i politikës së gabuar të këtyre evropianëve që po shkojnë fatmirësisht”, ka deklaruar ai, duke komentuar deklaratën e komisionarit Hahn se BE-ja nuk e përjashton mundësinë e bisedimeve për shkëmbim territoresh, nëse për këtë pajtohen pala kosovare dhe ajo serbe.

Haradinaj ka thënë se bisedimet për marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë jo vetkanë stagnuar, por janë kthyer prapa për faj të këtyre “evropianë që flasin për territore”.

“Me këta evropianë që po flasin për kufij e për territore vetëm sa po shkojmë mbrapa. Pra, nuk po afrohemi kah ndonjë marrëveshje, por po vonohemi, po largohemi”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, i pyetur se nëse ofrohet ndonjë marrëveshje më 29 prill në Berlin a do ta pranonte ai si kryeministër, Haradinaj ka thënë se ai nuk ka mandat të negociojë marrëveshje.

“Unë nuk kam mandat negocimi për një marrëveshje. Parlamenti ynë e ka votuar delegacionin shtetëror, por nuk bëhet fjalë që të diskutohet për çfarëdo marrëveshje që ka të bëjë me territore dhe që lëviz kufijtë e Kosovës. Përfaqësuesja e lartë Mogherini, po edhe komisionari Hahn duke e toleruar një logjikë të tillë, ata e kanë vonuar marrëveshjen, ata e kanë vonuar Ballkanin dhe ata e kanë vonuar edhe BE-në realisht”, është shprehur Haradinaj.

Kreu i Qeverisë së Kosovës i ka bërë këto komente në Sllovi të Lipjanit, ku ka marrë pjesë në homazhet për dëshmorët e martirët e fshatit. (r.m.)

Comment

*