Haradinaj i quan “spektakël medial” deklaratat e të burgosurit Shkumbin Mehmetit

Prishtinë, 12 janar 2018 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka shpërfillur akuzat e rënda publike të të burgosurit Shkumbin Mehmeti, në të cilat përmendet në kontekst të krimit të organuzyar edhe vetë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se është i habitur me deklaratat e Mehmetit, të cilat i ka quajtur “materie” për prokurorët e gjyqtarët.

“U habita me deklarimet e tij. Të gjitha ato deklarata është dashur të jenë materie e gjyqtarëve e prokurorëve, e jo të bëhej spektakël medial”, ka thënë Haradinaj, pas mbledhjes së qeverisë.

Ai ka theksuar se “në sisteme të drejtësisë serioze nuk lejohet që një person nga burgu të japë një intervistë të tillë në media”.

Në një intervistë për televizionin “Klan Kosova”, Mehmeti ka folur për veprimtarinë e grupit kriminal pjesë e të cilit ka qenë, si edhe për krime të tjera të rënda, të kryera nga ky grup.

Ai pretendon se disa krime të grupit, përfshirë edhe disa raste të vrasjeve për motive politike, si edhe disa raste të marrjes peng, janë kryer edhe me dijeninë apo me “pëlqimin” e njerëzve të politikës.

Mehmeti ka përmendur në kontekst të krimit të organizuar edhe emrat e shumë peronave të afërt me liderët politikë të dalë nga UÇK-ja, përfshirë edhe vetë liderët, në mesin e të cilëve disa herë e ka përmendur edhe vetë Haradinajn.

I dënuari lidhur me rastin e vrasjes së një polici të UNMIK-ut dhe të një polici të Kosovës, si edhe për marrjen peng të një biznesmeni, ka folur me tone shumë komprometuese edhe për policinë, për prokurorinë dhe për gjyqësinë e Kosovës. Sipas tij, prokuroria e Kosovës si edhe prokuroria e EULEX-it nuk kanë pasur interes ose kurajo për ndriçimin e rasteve për të cilat ai ka dhënë informacion.

Shkumbin Mehmeti është i dënuar me 30 vjet burgim, për vrasje dhe për pengmarrje. Ai është dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale të Kosovës. Ai ka thënë se mund të japë informacione me vlerë edhe për krimet e kryera në periudhën që është nën juridiksionin e Gjykatës Speciale. (r.m.)

Comment

*