Prishtinë, 14 shkurt 2021 – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se, në bazë të exit-poolleve dhe sipas votave të numëruara deri në orën 20 e 45, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë fituese e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën sot në Kosovë. Ai e uroi Vetëvendosjen për këtë fitore.
“Zgjedhje shumë të mira. Pjesëmarrje e respektueshme, edhepse në kushte atmosferike të vështira. Përpos exit poolleve, në pjesën e parë të numërimit të votave, kontastohet një fitore e Vetëvendosjes. I uroj të gjitha partitë tjera, Vetëvendosjes ia uroj fitoren“, ka thënë ai, në një konferencë shtypi.
Haradinaj ka thënë se sipas exit-poolleve dhe numërimit të 10 për qind të votave, AAK-ja do të fitojë rreth 10 për qind të votave dhe shtoi se kjo shifër është e njëjtë me atë që e kishte parashikuar kjo parti.
“AAK merr rreth 10 për qind, që përputhet me parashikimet tona“, ka thënë ai.
Haradinaj e ka vlerësuar të rëndësishme që qeveria e re të zgjidhet pa humbur kohë.
“Mos të humbim kohë. Të krijojmë institucionet, pasi jemi në një situatë të rëndë ekonomike“, ka thënë ai.
Haradinaj ka thënë se AAK-ja mbetet e hapur për përfshirje në qeverinë e re të Kosovës.
“S’kem vija të kuqe as për VV, as për ndonjë subjekt politik”, ka thënë ai.
Haradinaj nuk e ka komentuar çështjen e zgjedhjes së Presicdentit të ardhshëm të Kosovës. Ai ka thënë se kjo kërkon kohë dhe marrëveshje midis partive politike.
Kryetari i AAK-së ka thënë se zgjedhjet e sotme ishin shumë të rregullta, kurse pjesëmarrje mjaft e lartë, duke pasur parasysh motin e ftohtë që po mbretëron në Kosovë.
“Zgjedhje shumë të mira. Pjesëmarrje e respektueshme, edhepse në kushte atmosferike të vështira“, ka thënë ai, duke i përgëzuar qytetarët dhe duke vlerësuar punën e institucioneve të përfshira në organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
(r.m.)