Haradinaj: Kosova është e hapur për investime të huaja direkte

Sofje (Bullgari), 18 maj 2018 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje investitorëve të huaj që të investojnë në Kosovë.

“Kosova është e hapur për investime të huaja direkte dhe se tregu është tejet i përshtatshëm për t’i pritur këto investime”, ka thënë Haradinaj në Forumin Ekonomik të Vjenës, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.

“Kosova është një vend i vogël, me vetëm 2 milionë banorë dhe ne jemi ndër vendet e rralla që kemi shpenzuar paratë nga buxheti ynë për të realizuar projekte të mëdha infrastrukturore. Tani është koha që të kemi investime të reja në shumë fusha, veçmas në miniera dhe telekom. Ne jemi të hapur për të gjithë investitorët dhe ky forum është mundësi e mirë për t’i ndarë këto mundësi”, është shprehur Haradinaj, në fjalën e tij para panelit të përbërë nga kryeministrat e vendeve të Ballkanit dhe Bullgarisë.

Haradinaj ka shprehur interesimin e Kosovës për projekte nga fusha e infrastrukturës, me theks të veçantë në investimet e huaja, tregtinë, digjitalizimin dhe mobilitetin, që janë edhe temë e këtij forumi.

“Kosova është e hapur për investime të reja. Ne mirëpresim investime në telekom, në fushën e minierave dhe po presim nga ju që të shprehni interesim”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka paraqitur të dhëna për të arriturat e deritashme në fushën e infrastrukturës dhe ka theksuar se Kosova,  në bashkëpunim me EBRD dhe EIB, po planifikon projekte të rteja, të cilat e lidhin vendin akoma më shumë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe me vendet e Evropës.

Haradinaj ka theksuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të thellojnë bashkëpunimin midis tyre.

“Në Samitin e Sofjes u përmend që procesi për njërin nga ne do të thotë proces për shumë prej nesh”, ka theksuar ai.

Në Forumin Ekonomik të Vjenës po marrin pjesë: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.

Në delegacionin e Kosovës, përveç kryeministrit Haradinaj, po marrin pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj. (r.m.)

Comment

*