Haradinaj: Krijimi i ushtrisë së Kosovës nuk e ndryshon balancën e sigurisë në rajon

Prishtinë, 13 mars 2018 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti të martën në takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, Karl Erjavec.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Haradinaj tha se “ekziston një klimë e mirë mes Kosovës dhe Sllovenisë për bashkëpunim në shumë fusha”.

“Sllovenia është një ndër investitorët më të mëdhenj në vend dhe Kosova është e interesuar që ta vazhdojë këtë partneritet ekonomik”, tha Haradinaj, duke kërkuar vazhdimin e përkrahjes së Sllovenisë në planin ndërkombëtar.

“Përkrahja juaj për njohjet e reja, anëtarësimin në INTERPOL, UNESCO, në procesin e integrimit euroatlantik ka domethënie të madhe për ne”, shtoi ai.

Haradinaj theksoi se krijimi i ushtrisë së Kosovës me mandat kushtetues “nuk e ndryshon balancën e sigurisë në rajon”, por i kontribuon asaj.

Ministri slloven i vlerësoi arritjet dhe progresin e bërë në Kosovë dhe shprehu gatishmërinë dhe përkushtimin e vendit të tij për bashkëpunimin dypalësh. (r.m.)

Comment

*