Haradinaj: Përfshirja e LDK-së dhe VV-së do ta fuqizonte Kosovën në dialog

Prishtinë, 11 janar 2019 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se përfshirja e dy partive më të mëdha opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në procesin e dialogut me Serbinë, do ta fuqizonte pozicionin negociues të Kosovës.

Në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Haradinaj tha se opozita duhet ta shqyrtojë rolin e saj, sa u përket bisedimeve me Serbinë, që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian.

“Qëllimi dhe ajo çka e konsideroj si mision timin, është konsolidimi i argumenteve të brendshme të Kosovës, fuqizimi i Kosovës në pozicionin negociues. Mendoj se edhe opozita duhet ta shqyrtojë rolin e vet. Pra, edhe LDK, edhe Vetëvendosje ta fuqizojnë Kosovën në pozicionin negociues me Serbinë”, tha Haradinaj, citon Radio Evropa e Lirë.

Ai shtoi se, në të kaluarën, udhëheqësia e Kosovës “ka dhënë prova të mjaftueshme për racionalitet”.

Haradinaj përdori terminologji sportive për të shpjeguar se sa e rëndësishme është përfshirja e opozitës në dialogun me Serbinë.

“Janë dy liga në të cilat po luhet. Një është e brendshme – ne i vazhdojmë garat tona politike të brendshme, për pushtet, për të tjera – por është edhe një ligë e jashtme. E për këtë ligën e jashtme duhet ta bëjmë një kombëtare të Kosovës, një përfaqësuese të Kosovës. Aty e kanë vendin e vet edhe LDK-ja, edhe Vetëvendosja. Nuk është mirë që ta dobësojnë kombëtaren e vet, sepse janë momente që janë me rëndësi kohore”, theksoi Haradinaj.

Partitë më të mëdha opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, po refuzojnë që të bëhen pjesë e procesit të dialogut me Serbinë. Ndërkaq, partia tjetër opozitare, Partia Socialdemokrate (PSD), është bërë pjesë e Ekipit negociues, i cili përbëhet nga përfaqësuesit e partive në pushtet dhe bashkëkryesohet nga kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, dhe ai i PSD-së, Shpend Ahmeti.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i këtij procesi, ka kërkuar nga të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, e cila do t’u hapte rrugë të dyja shteteve në perspektivën evropiane. (r.m.)

Comment

*