Haradinaj premton përkrahje për bizneset nga diaspora

Prishtinë, 28 shtator 2017 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësues të bizneseve kosovare-gjermane dhe të Odës Ekonomike Gjermane-Kosovare. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt.

Zyra e Kryeministrit njofton se Haradinaj ka theksuar se qeveria që e drejtpn ai do të fokusohet në hapjen e bizneseve të reja dhe në krijimin e vendeve të reja të punës.

Ai ka kërkuar nga përfaqësuesit e bizneseve të diasporës që të jenë konkretë në kërkesat e tyre, në mënyrë që Qeveria të marrë parasysh sfidat me të cilat ballafaqohen.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se çdo investitor i jashtëm është i mirëpritur dhe do të ketë përkrahje konkrete, përmes politikave fiskale dhe lehtësirave tjera, të cilat do të jenë në favor të bizneseve dhe të investitorëve potencialë.

Nga ana e tyre, përfaqësues të komunitetit të biznesit nga diaspora kanë shprehur besimin në vullnetin e kryeministrit për të bërë atë që ata e shohin si interes, në të mirë të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të punës në Kosovë.

Nora Hasani, drejtoreshë menaxhuese në Odën Ekonomike Gjermane-Kosovare, ka theksuar nevojën për kthimin e besimit të investitorëve që të investojnë në Kosovë. Ajo ka thënë se sundimi i ligjit dhe zbatimi i kontratave janë qenësore për investitorët e huaj.

Kryetari i Unionit të bizneseve shqiptare në Gjermani, Nazmi Viqa, ka thënë se zbatimi i ligjit dhe përmirësimi i infrastrukturës janë parakushtet themelore për zhvillimin e vendit.

Fadil Hoxha, president i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane-Kosovare, ka thënë se Kosova ka resurse të mjaftueshme humane për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe ka shprehur besimin se  kryeministri Haradinaj dhe Qeveria e tij do të krijojnë mundësi dhe kushte për zhvillim. (r.m.)

Comment

*