Haradinaj pret mbështetjen e Bullgarisë për liberalizimin dhe integrimin në BE

Prishtinë, 16 prill 2018 – “Bullgaria ka një rol tejet të rëndësishëm në rajonin tonë dhe Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të ngushta dhe bashkëpunim ekonomik dhe politik me këtë vend evropian”.

Kështu tha Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në takim me Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borisov, në Prishtinë.

“Bullgaria e ka një aleat, Kosovën. Jemi të nderuar me prezencën tuaj në vendin tonë dhe se vendet tona nuk i ndan asnjë temë”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe rruga e përbashkët evropiane është i rëndësishëm për të dyja vendet.

Haradinaj kërkoi nga Borisovi mbështetjen e Bullgarisë për rrugën evropiane të Kosovës dhe për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe në procesin e njohjeve.

“Kosova ka nevojë për miqtë e saj në procesin e liberalizimit dhe anëtarësimit në BE. Bullgaria është një vend mik nga i cili presim mbështetjen në këtë proces. Kosova do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim ekonomik dhe politik me këtë vend. Ne e kemi dëshmuar edhe në të kaluarën që mund të kemi partneritet të ngushtë”, tha Haradinaj.

Nga ana e tij, Borisov shprehu përkushtimin e vendit të tij për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për forcimin e partneritetit ekonomik.

“Midis shteteve tona nuk ka çështje të hapura. Synimet tona për investimet infrastrukturore dhe në fusha të tjera e kanë në fokus edhe Kosovën”, tha Borisov.

Në takim morën pjesë edhe Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, dhe zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj e Enver Hoxhaj. (r.m.)

Comment

*