Haradinaj: Projektet infrastrukturore të përfundojnë me kohë

Prishtinë, 13 shtator 2017 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga kompanitë kontraktuese për ndërtimin e rrugëve që t’i kryejnë punët në afatin e përcaktuar kohor dhe të mos ketë vonesa të pajustifikueshme.

“Jemi në punë dhe besoj se ata që marrin punë, pra punëkryesit, e hetojnë se edhe ne jemi të saktë në punë. Duhet ta kuptojnë se vonesat e tyre në kryerjen e punimeve do të ishte lajm i keq për ne, për ata dhe për Kosovën. Kjo nuk do të tolerohet më. Skenat që kemi parë në të kaluarën nuk do të tolerohen. Nëse dikush ka marrë përgjegjësi për t’i kryer punë këtij vendi ose do t’i kryejë në afat kohor ose do të përjashtohet nga mundësia që të marrë punë nga publiku”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Haradinaj  ka premtuar se nga ana e Qeverisë do të përmbushen të gjitha obligimet për përmbylljen me sukses dhe në afatin e caktuar kohor të punimeve, si në autostradën “Arbën Xhaferi”, ashtu edhe në të gjitha akset tjera rrugore në nivel vendi.

Ai ka thënë se qeveria do të përmbushë së shpejti obligimin financiar ndaj kompanisë “Bechtel & Enca” e cila po punon në ndërtimin e autostdradës “Arbën Xhaferi”.

“U njoftova se si kanë shkuar zhvillimet në autostradën “Arbën Xhaferi”, se në çfarë etape është. Kemi një obligim financiar të papërmbushur këtë vit. Do ta gjejmë një zgjidhje së bashku me Ministrinë e Financave. Njëkohësisht, dëshirojmë që atë projekt ta përmbyllim në afatin e caktuar kohor, në mënyrë që të mos ndodhin vonesat”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se është njoftuar edhe për projektet tjera infrastrukturore dhe ka veçuar atë të zgjerimit të rrugës Prishtinë – Pejë. (r.m.)

Comment

*