Haradinaj: Punët e Kosovës do t’i kryej pa e pyetur Erdoganin

Prishtinë, 4 prill 2018 – Kryeministri i kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur të papranueshme ndërhyrjen e presidentit të Turqisë, Tayp Erdogan, në punët e brendshme të Kosovës.

“Nuk i nënshtrohem ndonjë diktati të ndonjë burrështetasi të huaj. Ndërhyrja në punë të brendshme të Kosovës, në këtë rast të Presidentit Erdogan, për mua është e papranueshme”, ka thënë Haradinaj, në RTV Dukagjini.

Haradinaj ka theksuar se ai, si kryeministër, do t’i kryejë punët e Kosovës pa e pyetur Erdoganin.

“Unë jam shqiptar, jam në atdheun tim, në tokën time. Unë e respektoj Turqinë, nuk jam përzier në asnjë punë të brendshme të tyre (…) dhe punët e Kosovës do t’i kryej pa e pyetur Erdoganin’, është shprehur ai, transmeton Telegrafi.

Por, Kryeministri Haradinaj ka theksuar gjithashtu se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen që ka dhënë Turqia dhe do t’i ruajë marrëdhëniet me këtë vend.

“Turqia ka qenë njëra prej shteteve të para që e kanë njohur Kosovën, ka qenë përkrahëse në planin ndërkombëtar dhe Kosova ka interes t’i ruajë këto marrëdhënie me Turqinë”, ka thënë Haradinaj. (r.m.)

Comment

*