Haradinaj refuzon kërkesën e Vuçiqit rë ta vizituar Kosovën

Prishtinë, 21 nëntor 2020 – Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, njoftoi se e ka refuzuar kërkesën për vizitë në Kosovë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe dy qeveritarëve të tjerë të Serbisë.

Ministrja Haradinaj-Stublla e ka cilësuar si “ofendim më tepër se provokim” kërkesën e presidentit Vuçiq, ministrit të Mbrojtjes, Alleksandar Vulin, dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, për të vizituar Kosovën në kohën që në Serbi janë gjetur mbetje mortore të shqiptarëve “të vrarë e masakruar“ nga strukturat e sigurisë së Serbisë, në vititn 1999.

“Kërkesa e Vuçiq, Vulin, Gjuriq e Petkoviq për të vizituar Kosovën, në një kohë kur Kosova përballet me rihapjen e plagës e dhimbjes së madhe të personave të pagjetur, dhe zbulimit të varrezave masive të shqiptarëve të vrarë e masakruar në luftë, 21 vjet më pas, është ofendim më tepër se provokim! “, thuhet në deklaratën e saj.

“Secila kërkesë e Serbisë në këto rrethana gjithmonë do ta ketë përgjigjen e njëjtë“, ka theksuar ministrja Haradinaj-Stublla.

“Qytetarët e Kosovës, familjet e të pagjeturve, të vrarëve dhe të masakruarve nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, pyesin me të drejtë se çka do të ndodhë pas zbulimit të varrezave masive dhe rivarrosjes? Deri kur drejtësia ndërkombëtare do të lejojë që po ata që kryen krimet te kryejnë edhe hetimet e gjykimet?”, ka thënë ajo.

Ministrja Haradinaj-Stublla kishte bërë kërkesë që të shkonte në Kizjevak dhe të shihte nga afër gërmimet ku po kërkohen mbetje të shqiptarëve të vrarë në Kosovë. Ministria njoftoi se vizita e ministres Haradinaj – Stublla shtyhet “për një kohë tjetër“.

Më 16 nëntor, autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë njoftuan se në Kizhevak, afër Rashkës në Serbi, janë gjetur mbetje mortore.

Lajmin për gjetjen e mbetjeve mortore në Kizhevak, më 16 nëntor e pati konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës.

“Mund të konfirmoj se janë eshtra të shqiptarëve të Kosovës, në Kizhevak të Serbisë”, kishte thënë Gërxhaliu.

Deri më tash, në Serbi janë zbuluar katër lokacione me varreza masive. Në to janë gjetur mbetjet  mortore të 941 shqiptarëve të vrarë në Kosovë në vitin 1999.

Deklarata e plotë e zonjës Haradinaj-Stublla:

Deklaratë e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës Znj. Meliza Haradinaj-Stublla

Kërkesa e Vuçiq, Vulin, Gjuriq e Petkoviq për të vizituar Kosovën, në një kohë kur Kosova përballet me rihapjen e plagës e dhimbjes së madhe të personave të pagjetur, dhe zbulimit të varrezave masive të shqiptarëve të vrarë e masakruar në luftë, 21 vjet më pas, është ofendim më tepër se provokim!

Secila kërkesë e Serbisë në këto rrethana gjithmonë do ta ketë përgjigjen e njëjtë!

Meqë institucionet e Kosovës të angazhuara për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur,  tanimë kanë pranuar ftesën për pjesëmarrje në vazhdimin e gërmimeve në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë dhe do të jenë aty gjatë javës së ardhshme, edhe vizita e paralajmëruar e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Meliza Haradinaj-Stublla, shtyhet për një kohë tjetër.

Qytetarët e Kosovës, familjet e të pagjeturve, të vrarëve dhe të masakruarve nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, pyesin me të drejtë se çka do të ndodhë pas zbulimit të varrezave masive dhe rivarrosjes? Deri kur drejtësia ndërkombetare do të lejojë, që po ata që kryen krimet te kryejnë edhe hetimet e gjykimet?

Serbia, nuk është në gjendje ta trajtojë të kaluarën e saj kriminale, andaj kërkohet ndërhyrje ndërkombëtare në këto rrethana, që drejtësia e munguar për viktimat e gjenocidit serb në Kosovë të vihet në vend.

(r.m.)

Comment

*