Haradinaj s’e merr serizisht kërkesën e Albin Kurtit për dorëheqje

Prishtinë, 25 maj 2018 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk e ka marrë shumë seriozisht  kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për dorëheqje nga pozita e kryeministrit ose, së paku, ka dashur të lë këtë përshtyje.

Haradinaj ka thënë se ai është duke punuar ashtu siç përcaktohet me ligj dhe me Kushtetutë, ndërsa për Kurtin ka thënë se “është pak si i papunë” dhe ka kohë të bëjë kërkesa të tilla.

Përveç kësaj, sipas Haradinajt, Kurti po përpiqet t’i “riparojë” dëmet pas ndarjes së Vetëvendosjes.

“Tani ai është pak si i papunë, do të thotë duhet t’i riparojë dëmet që i kanë ndodhur me ndarjet në parti. E kuptoj, sepse kam kaluar nëpër temat nëpër të cilat po kalon ai. S’kam çfarë t’i them më shumë. Po i kryej detyrat që m’i ka caktuar Parlamenti, Kushtetuta e vendit”, ka deklaruar Haradinaj.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në tryezën e partitë politike, ka thënë se Haradinaj duhet të japë dorëheqje ose të nxirret në votëbesim, për shkak se, sipas tij, po i shkakton vetëm dëme shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. (r.m.)

Comment

*