Haradinaj shpërfill qëndrimin e NATO-s për formimin e ushtrisë

Prishtinë, 6 dhjetor 2018 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar për përmbajtjen e bisedës telefonike që ka zhvilluar sot me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Ai më ka ofruar përkrahje për ushtri, por ka thënë se do t’i shqyrtojnë marrëdhëniet me FSK-në, por jo me Kosovën”, ka thënë Haradinaj, në konferencë për media.

“Arsyeja pse mund të shqyrtohet çështja e FSK-së është sepse anëtarët kanë mendime të ndryshme për kohën e bërjes së ushtrisë. Nëse një anëtar i NATO-s ka mendim ndryshe, duhet të shqyrtohet kjo çështje në NATO”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka mohuar se nga sekretari Stoltenberg ka kërkuar që të binden serbët që ushtria të formohet me ndryshime kushtetuese.

“Ne nuk presim votë unanime nga të gjithë, por sot nuk është ajo temë”, ka thënë Haradinaj.

Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s ka njoftuar se Stoltenberg ia ka përcjellë Haradinajt mesazhin e ministrave të vendeve anëtare të Aleancës se tani nuk është koha e duhur për formimin e ushtrisë së Kosovës.

“Me Haradinajn ngrita shqetësime për planin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri. Ia theksova se një veprim i tillë është i papërshtatshëm dhe kundër këshillave të shumë aleatëve të NATO-s dhe mund të ketë pasoja në perspektivën e Kosovës për integrim euro-atlantik. Ia përsërita se mandati i FSK-së duhet të evoluojë dhe se NATO duhet të rishikojë nivelin e bashkëpunimit me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Stoltenberg. (r.m.)

Comment

*