Haradinaj shpreh keqardhje për numrin e vogël të grave në qeverinë e tij

Prishtinë, 14 shtator 2017 – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pohuar se se në Kosovë ende ka ngecje në barazinë gjinore dhe në realizimin e të drejgtave të femrës.

Por, ai ka paralajmëruar përmirësim të gjendjes aktuale në këtë fushë.

“Mendoj se disa zhvillime inkurajuese kanë ndodhur, mirëpo e dimë që ende ngecim si Kosovë dhe arsyet e ngecjes janë të shumta. Po,r ato që janë në kapacitetin tonë do t’i trajtojmë, në mënyrë që të mos ngecim”, ka thënë Haradinaj.

“Shpreh zotimin tim, por edhe të Qeverisë që e udhëheq, që do të jemi bashkë në avancimin e pozitës së femrës dhe të barazisë gjinore”, ka shtuar ai, në lansimin e Komentarit të Ligjit për Barazi Gjinore.

Haradinaj ka vlerësuar se prezantimi i këtij komentari është “kontribut i familjarizimit të mëtejmë të të gjithëve me këtë temë, përfshirë vendimmarrësit, planifikuesit dhe atyre që zbatojnë ligjin”.

Haradinaj ka shprehur keqardhje për numrin e vogël të përfshirjes së gruas në kabinetin e tij qeveritar, por ka shtuar se “kjo nuk duhet të jetë pengesë për të vazhduar trajtimin e temës me seriozitetin më të madh”. (r.m.)

Comment

*