Haradinaj-Stublla: Lajçak dëshiron të rikthejë idenë e shkëmbimit të territoreve

Prishtinë, 17 tetor 2020 – Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e ka akuzuar emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi se me deklaratat për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës synon “të akomodojë“ në Kosovë një Republikë Serbe si ajo në Bosnjë e Hercegovinë.

Haradinaj-Stublla ka thënë se mbështetja e përpjekjeve për krijimin e një entiteti të tillë në Kosovë kanë për qëllim të risjellin “idenë e shkëmbimit të territorit dhe të kufijve etnikë“.

“Kërcënimet dhe diskutimet deluzionale që kanë për qëllim ndryshimin e kushtetutës për të akomoduar të ashtuquajturën ‘Republika e Dodikut’ brenda Kosovës – në realitet për të sjellur sërish idenë e shkëmbimit të territorit dhe kufijëve etnikë si diçka më pak se të rrezikshme në këtë krahasim. Lajm i mirë të dyja do të dështojnë sërish. Kosova është e zotuar për dialog konstruktiv me Serbinë, kërkimfalja dhe drejtësia për krimet gjenocidale të Serbisë në vitet e 90’ta, kthimin e menjëhershëm dhe informatat për personat e zhdukur në varresat masive në Serbi dhe respektimin e 33 marrëveshjeve teknike me objektivin për njohje reciproke në kufijtë aktualë”, ka shkruar ministrja Haradinaj-Stublla, në një postim në Twitter.

Gjatë vizitës në Beograd, Lajçak ka thënë se Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën për të krijuar bazën kushtetuese për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai ka thënë se bashkëbiseduesit e tij në Prishtinë nuk e kanë kundërshtuar mundësinë për ndryshime të Kushtetutës.

Por, kjo deklaratë e tij ka nxitur reagime të fuqishme në Prishtinë. Më e ashpra ka qenë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila e ka akuzuar Lajçakun se nuk po e thotë të vërtetën. Ajo ka thënë se zotit Lajçak i ka thënë se Asociacioni mund të krijohet vetëm në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

(r.m.)

Comment

*