Haradinaj: Taksa për prodhimet e Serbisë e të Bosnjës nuk hiqet

Prishtinë, 8 nëntor 2018 – Qeveria e Kosovës ka dhënë zotimin se nuk do t’i nënshtrohet kurrfarë presioni ndërkombëtar për të revokuar sanksionet ekonomike të vëna një ditë më parë kundër Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Brukseli zyrtar ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që urgjentisht të shpjegojnë vendimin, duke gjykuar se me vendosjen e kësaj takse minohet bashkëpunimi rajonal dhe se vendimi nuk është në përputhje me parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se vendimi për taksë shtesë për mallrat që prodhohen në serbi dhe në Bosnjë e Herecegovinë do të mbetet në fuqi derisa këto dy vende të heqin dorë nga politikat aktuale ndaj Kosovës.

Haradinaj ka thënë se faktori ndërkombëtar nuk ka arsye të ndërhyrë për të hequr këtë taksë, derisa Serbia dhe Bosnja nuk i respektojnë as ligjet ndërkombëtare e as marrëveshjet rajonale kur bëhet fjalë për Kosovën.

Njohës të zhvillimeve politike kanë thënë se këto sanksione janë plotësisht në frymën evropiane.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të vendose një taksë shtesë prej 10 për qind për të gjitha produktet me origjinë nga Serbia dhe nga Bosnjë-Hercegovina, me përjashtim të brendeve ndërkombëtare që qarkullojnë mallrat e prodhuara në degët që i kanë në këto shtete. (r.m.)

Comment

*