Haradinaj tregon përse nuk pranon të takohet me Ramën

Prishtinë, 29 qershor 2020 – Kryetari i Aaleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka treguar përse nuk pranoi të takohet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili gjendet në vizitë dy-ditëshe në Kosovë.

Haradinaj ka thënë se Rama ka shprehur interesim që të takohet me të, por ai e ka refuzuar kërkesën për takim.

Ndër të tjera, Haradinaj ka thënë se është e palogjikshme që të takohen paditësi dhe i padituri.

“Është e pamundur të takohen i padituri me paditësin. Kjo s’ka kurrfarë logjike. Nuk ndihem mirë që, si i paditur, të takohem me dikën që më ka paditur, pra as me zotin Edi Rama”, ka thënë Haradinaj, në një intervistë për RTV Dukagjini.

Rama ka bërë padi për shpifje ndaj Haradinajt në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Rama e ka cilësuar shpifje deklaratën e Haradinajt se kryeministri i Shqipërisë kishte lidhje me idenë për ndarjen e Kosovës, e cila është lansuar në publik si “shkëmbim territoresh“ mes Kosovës dhe Serbisë.

Të hënën, Edi Rama u takua me drejtuesit e instoitucioneve shtetërore të Kosovës dhe të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, me përjashtim të Haradinajt. (r.m.)

Comment

*