Haradinaj u kërkon naftëtarëve të kenë kujdes çmimin e naftës

Prishtinë, 27 dhjetor 2018 – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje edhe një herë drejtuesve të Shoqatës se Naftëtarëve që të kenë kujdes me çmimin e derivateve të naftës në tregun e Kosovës.

Në një takim që ka pasur më përfaqësues të kësaj shoqate, Haradinaj ka thënë se qeveria do të angazhohet për krijimin e infrastrukturës ligjore dhe administrative që do të ndikojë edhe në uljen e çmimeve të derivateve të naftës.

“Duke respektuar gjithmonë ekonominë e lirë të tregut, sot ju bëj thirrje që të tregoni kujdes karshi çmimit në treg, duke respektuar edhe qytetarët”, citohet Haradinaj në komunikatën e zyrës së kryeministrit.

Kërkesa e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, vjen pas dyshimeve se çmimet e derivateve të naftës në tregun e Kosovës janë më të lartat në rajon.

Në anën tjetër, Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka mbajtur një konferencë për media, ku ka kundërshtuar zërat se në Kosovë ky produkt po shitet më shtrenjtë se në vendet e rajonit.

Kryetari i kësaj shoqate Fadil Berjani, ka thënë se çmimi i derivateve të naftës në tregun e Kosovës është i njëjtë me ato në vendet e rajonit, përveç në Maqedoni, ku akciza e derivateve të naftës është më e ulët.

Ai, ndër të tjera, ka treguar edhe për sfidat që ka kjo shoqatë, por edhe për çmimin e derivateve dhe ka numëruar edhe pengesat administrative dhe ligjore me të cilat përballet ky treg, siç janë: mungesa e ligjit për naftën, mungesa e depove doganore dhe taksa për kyçje në rrugë, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin e tregut. (r.m.)

Comment

*