Haradinaj vlerëson rolin dhe kontributin e shqiptarëve të Kroacisë

Prishtinë, 12 tetor 2017 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e gjashtë shoqatave të shqiptarëve të Kroacisë, të cilët i ka quajtur ambasadorë të Kosovës në këtë vend mik.

Haradinaj ka thënë se shqiptarët kanë qenë ndër luftëtarët më të zotë në luftën për pavarësinë e Kroacisë, ndërsa shumë prej tyre, me përvojën e arritur atje, kanë ndihmuar edhe në konsolidimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa disa prej tyre kanë rënë në altarin e lirisë së Kosovës.

Por, ai ka thënë se shqiptarët në Kroaci kanë zë të mirë edhe si punëtorë e afaristë të ndershëm, si edhe si qytetarë të integruar në jetën institucionale dhe shoqërore të shtetit kroat.

Përfaqësuesit e shoqatave dhe organizatave të ndryshme të komunitetit shqiptar të Kroacisë janë zotuar se do të vazhdojnë të ndërtojnë ura miqësie ndërmjet dy popujve dhe dy shteteve, do të ndikojnë në thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe do të lobojnë tek institucionet e shtetit kroat që ta mbështesin Kosovën në rrugën e integrimeve euro-atlantike të saj.

Në takim ishin të pranishëm: Esad Çollaku, kryetar i Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, Tom Kaqinari, kryetar i Shoqatës së vullnetarëve të Kroacisë, Gjergj Kolëgjeraj, nënkryetar i Shoqatës shqiptare të mbrojtësve në Kroaci, Beshir Ziberi, kryetar i Bashkësisë shqiptare të Karllovcit, Pren Gjokaj, nënkryetar i Bashkësisë shqiptare të Istrës dhe Behar Mullajupi, kryetar i Shoqatës “Shkëndija”. (r.m.)

Comment

*